E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit rekomandon ligj të ri për faljen e të dënuarve



Të hartohet sa më parë një projektligj i ri “Për faljet”. Ky ka qenë rekomandimi më i fundit që ka bërë Avokati i Popullit në dy instanca të larta, në Kryeministri dhe në Ministrinë e Drejtësisë. Përmes një rekomandimi disa ditë më parë, Emir Dobjani i është drejtuar Kryeministrit të vendit, Sali Berisha dhe kreut të institucionit të lartë të drejtësisë, ministrit Enkelejd Alibeaj, për të hartuar sa më parë një projektligj për faljen e të dënuarve, duke qenë se vitet e fundit ka pasur një numër të pakët faljesh, ndërkohë që kërkesat e të dënuarve janë të shumta. Shkak për një rekomandim të tillë, sipas Avokatit të Popullit, kanë qenë numri i madh i kërkesave për falje, drejtuar institucionit që z. Dobjani drejton, ndërkohë që mendon se ligji ekzistues për faljet është i vjetruar. Sipas tij, pranë institucionit të Avokatit të Popullit vitin e fundit janë shtuar shumë kërkesat për falje nga të burgosurit që vuajnë dënimin për vepra të ndryshme penale në burgjet shqiptare. Objekti i këtyre kërkesave, sipas Avokatit të Popullit, është që institucioni që ai drejton të bëjë propozim për secilin prej tyre pranë Presidencës për faljen e pjesshme apo të plotë të pjesës së mbetur të dënimit të tyre. “Specifika e punës së institucionit tonë ka bërë që të jemi shumë pranë të drejtave dhe kërkesave të të dënuarve. Kjo është edhe një nga arsyet pse na dërgohen kërkesat e tyre për falje”, - vijon më poshtë letrën e tij rekomanduese Avokati i Popullit.

Dobjani: Ligji ekzistues, i vjetruar

Duke shqyrtuar ligjin nr. 6299, datë 27.03.1981 “Për faljen”, ndryshuar me ligjin nr. 7682, datë 09.03.1993, Avokatit të Popullit i rezulton se ky është një ligj i vjetruar në kohë. “Kështu neni 5 i po këtij ligji “Për dënimet me vdekje”, është shfuqizuar automatikisht pasi vendi ynë e ka hequr këtë dënim. Avokati i Popullit mendon se ky ligj kërkon një ndryshim tërësor dhe cilësor për vetë rëndësinë që ai paraqet”, - shprehet Dobjani, duke sugjeruar se “miratimi i një ligji të ri bashkëkohor do të ishte një hap i rëndësishëm, sidomos për të siguruar transparencën e duhur nga autoritetet përkatëse, për të mos i lënë vend edhe komenteve abuzive të përdorura vitet e fundit”. Aktualisht rregullimi ligjor i të drejtës së ushtrimit të faljes bëhet nga neni 92/b i Kushtetutës së Republikës që përcakton se “Presidenti ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit”, si dhe nga neni 70 i Kodit Penal që përcakton se “Me aktin e faljes, organi kompetent përjashton tërësisht apo pjesërisht personin nga vuajtja e dënimit të dhënë me një vendim gjyqësor ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të bute”, si dhe nga ligji nr. 6299 i vitit 1981 (i ndryshuar). Por, sipas Dobjanit, ky ligj gjithsej me vetëm 5 nene nuk përmban shumë elementë thelbësore që duhet të ketë një ligj i rëndësishëm për legjislacionin shqiptar. “Në asnjë prej neneve të këtij ligji nuk përcaktohen kriteret që duhet të plotësojë çdo i dënuar për të pasur të drejtën e faljes, siç mund të jenë lloji i veprës penale, mosha, gjinia, gjendja shëndetësore, familjare etj.”, - thekson në rekomandimet e tij Avokati i Popullit drejtuar Kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë.

Avokati i Popullit: Çfarë duhet të përmbajë një ligj për faljet

Avokati i Popullit mendon se një ligj i ri për faljen duhet të përcaktojë në mënyrë të detajuar disa elementë të rëndësishëm. Së pari, subjektet që kanë të drejtë të bëjnë propozimin të përcaktohen konkretisht dhe shprehimisht, duke pasur parasysh ato autoritete, të cilat janë më afër halleve të popullit dhe që njohin më nga afër gjendjen ekonomiko-shoqërore të të dënuarve apo familjeve të tyre. Të tillë janë: kryetarët e bashkive dhe komunave ku ka vendbanimin i dënuari, deputeti i zonës elektorale, Avokati i Popullit, organizatat joqeveritare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, që ushtrojnë aktivitet human dhe jofitimprurës, shërbimi i provës etj. Konkretisht në nenin 2 të ligjit nr. 6299, datë 27.03.1981, përcaktohen në mënyrë të përgjithësuar organet që kanë të drejtë të bëjnë propozim për falje dhe që janë: “Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, organet qendrore të organizatave shoqërore, organet e pushtetit lokal, gjykatat, prokuroritë, organet e rendit dhe organizatat shoqërore...”. Pra ky nen ka krijuar konfuzion dhe ka lënë vend për interpretim në rastet kur janë bërë propozime. Së dyti, sipas Avokatit të Popullit, duhen përcaktuar qartë kriteret që duhet të plotësojë një i dënuar për të pasur të drejtën e faljes pjesërisht apo tërësisht. Ne mendojmë se veç llojit të veprës penale, për faljen e një të dënuari duhen pasur parasysh edhe profili i tij personal si koha dhe mënyra e kryerjes së veprës, mosha, gjendja shëndetësore e tij, koha e mbetur e dënimit, gjinia e tij, marrëdhëniet me të dëmtuarin ose familjen e tij, sjellja e tij në vendin e vuajtjes së dënimit, rrethanat familjare, integrimi i tij etj. Së treti, dokumentacioni që duhet të plotësojë organi i cili ka të drejtën e propozimit të faljes. Ky dokumentacion duhet të përmbajë kërkesën e të dënuarit ose familjarëve të tij, certifikatë personale, e cila përcakton identitetin e tij, certifikatën familjare, e cila përcakton numrin e personave të familjes dhe gjendjen e tyre ekonomike, vendimin e gjykatës së formës së prerë, dëshminë e penalitetit, dhe në fund t’i bashkëngjitet propozimi që bëhet nga autoriteti i përcaktuar me ligj. Dërgimi i kësaj praktike duhet të përcaktohet që të bëhet zyrtarisht nga organi propozues, gjë që do të formalizonte përfundimisht këtë proces. Së katërti, procedura e shqyrtimit duhet të jetë e përcaktuar shprehimisht në ligj dhe më pas njoftimi zyrtar që institucioni i Presidencës duhet të japë për miratimin ose jo të faljes. Aktualisht pas përgatitjes së materialit nga ana e zyrës përkatëse në institucionin e Presidencës, është zgjedhje e kreut të shtetit se kur dhe si e ushtron këtë të drejtë. Kjo ndoshta krijon një vonesë në përgjigjen zyrtare, që ky institucion duhet të japë për miratim ose jo të propozimit. Mendojmë që të vendoset një afat kohor i arsyeshëm për dhënien e një përgjigjeje, që mund të jetë jo më shumë se gjashtë muaj nga data e aplikimit. Ky afat mendojmë se është më se i mjaftueshëm edhe për shqyrtimin e kërkesave për informacione shtesë që mund të kërkojë institucioni i Presidencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për dinamikën dhe sjelljen e çdo të dënuari në vendin e vuajtjes së dënimit apo nga institucione të tjera. Në përfundim të rekomandimeve të tij, Avokati i Popullit shprehet se “jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në hartimin e draftit të tij, besojmë bashkë me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të Presidencës”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›