Reagimi; Prokuroria e Përgjithshme: Hetuam për Gërdecin, dosja në gjykatë
Pas publikimit të disa akteve zyrtare në media dhe komenteve, bërë punës së Prokurorisë së Përgjithshme, vjen edhe reagimi zyrtar nga organi qendror i akuzës. “Duke u nisur nga publikimi ditët e fundit të disa akteve në media, si dhe komenteve që janë bërë rreth punës së prokurorisë në ndjekjen penale, të procedimit penal nr. 3 të vitit 2008, që lidhet me ngjarjen e 15 marsit 2008 në Gërdec, Vorë; e ndjejmë për obligim për të sqaruar publikun se, në ndjekjen penale të këtij procedimi, prokuroria ka realizuar një procedim të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik. Prokuroria ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me këtë ngjarje. Kështu, për sa bëhet fjalë në media, prokuroria ka ngritur akuzë në gjykatë në ngarkim të ish-zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe civilë, të cilët në shkelje të ligjit dhe në mospërmbushje të detyrës kanë urdhëruar lejimin e subjekteve private, të prishin objekte në inventarin e pronës në Gërdec, të kryenin punime për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale dhe të administronin këtë pronë. Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale penale të nevojshme, ndaj pasurive të të pandehurit Mihal Delijorgji, sapo është vënë në dijeni të aseteve apo përqindjes së aksioneve të tij në shoqëritë ku ai është aksioner”, - përfundon deklarata për shtyp.