Për një femër, vret me thikë një person dhe plagos dy të tjerë
Sebepi i sherrit janë femrat. Kjo është një shprehje franceze që gjen vend në ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në qytetin e Korçës, pranë universitetit. Një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur. Gjithçka për një femër. Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë qëlloi me thikë në zemër një 24-vjeçar, i cili humbi jetën, ndërsa dy shokët e tij mbetën të plagosur. Gjithçka ndodhi në brendësi të një lokali pranë universitetit, pas një sherri të lindur për motive të dobëta mes të rinjve. Viktima është Elis Spaho, ndërsa të plagosur mbetën dy shokët e tij, Klodian Hoxha dhe Leopard Ballco. Autori i krimit, Erjon Pepellashi, ka arritur që të largohet me shpejtësi nga vendngjarja, për t’u vënë në pranga disa orë më vonë. Sipas policisë, i vënë para fakteve dhe provave, 30-vjeçari ka pranuar krimin. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ndodhi pas një sherri në një lokal pas universitetit të Korçës. Autori qëlloi tre personat me thikë pas një sherri të lindur për një femër. Ndaj të plagosurve u dha ndihma e parë, duke i çuar ata në spital. Megjithatë, si pasojë e plagëve të marra nga goditjet e thikës, 24-vjeçari nuk arriti të mbijetonte, ndërsa dy shokët e tij janë jashtë rrezikut për jetën. Policia arrestoi në kohë të shkurtër autorin Pepellashi.
Ngjarja
Rreth orës 01:00 të ditës së djeshme, Elvis Spaho, Klodian Hoxha dhe Leonard Ballco janë drejtuar për në lokalin “Studenti Club”, pranë universitetit të qytetit, “Fan Noli”. Ata janë ulur në lokal, ku brenda ka qenë edhe autori i krimit. Midis të rinjve kanë filluar debatet. Pas sharjeve dhe fyerjeve, ata kanë nisur të konfliktohen fizikisht, për t’u ndarë vetëm pak çaste më vonë dhe duke dalë nga ambientet e lokalit. Autori i krimit ka marrë një thikë brenda lokalit dhe ndërsa të rinjtë ndodheshin jashtë, pranë “Qendrës të Trajtimit të Studentëve”, ka qëlluar 24-vjeçarin Spaho me thikë në gjoks, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas, ai ka goditur edhe dy shokët e tij, Klodian Hoxhën dhe Leonard Ballcon, të cilët janë plagosur dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën pas ndërhyrjes së menjëhershme kirurgjikale. Sipas mjekëve, viktima ka marrë një goditje vdekjeprurëse shumë pranë zemrës, duke mos arritur që të mbijetojë. Pas ngjarjes, autori i krimit ka arritur që të largohet nga vendi, duke iu vetëm për disa orë shmangur arrestimit të policisë.
Policia
Punonjësit e policisë së komisariatit të Korçës, pasi u njoftuan për një konflikt të ndodhur pas universitetit “Fan Noli”, u nisën menjëherë në vendngjarje. Ata rrethuan zonën, ndërkohë që morën në pyetje dëshmitarë të shumtë, të cilët kanë informacion në lidhje me këtë ngjarje të ndodhur në lokalin “Studenti Club”, pas fakultetit. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të lindur për një femër. Autori i krimit ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe me të ka qëlluar ndaj tre shokëve, ku për pasojë gjeti vdekjen 24-vjeçari Spaho. Sipas policisë, autori u identifikua brenda një kohe mjaft të shkurtër dhe në pak orë u realizua edhe arrestimi i tij.