E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, babë e bir humbën jetën në aksident



Dy emigrantë shqiptarë, anëtarë të një familjeje, kanë humbur jetën dje në mëngjes në një aksident të rëndë automobilistik në Kasalmaxhore, në Kremona të Italisë. Babai 48-vjeçar dhe i biri 19-vjeçar po udhëtonin në një makinë për të shkuar në punë kur makina është përplasur në kthesë dhe ka përfunduar në ujërat e lumit Po. Një shtetas italian, i cili ka parë ngjarjen, ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por pa mundur të shpëtojë jetën e dy shqiptarëve. Ende nuk bëhen të ditur emrat të aksidentuarve, ndërkohë që policia dyshon se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e madhe me të cilën po ngiste makinën djaloshi 19-vjeçar.

Greqi, gjendet i masakruar një shqiptari

SELANIK- Një shtetas shqiptar u gjet i vrarë në Selanik të Greqisë. Policia greke bëri të ditur për mediat atje se trupi i pajetë i një shqiptari është gjetur nga kalimtarë të rastit në fshatin Katerini të Selanikut. Mjeku ligjor që këqyri kufomën bëri të ditur se vdekja ka ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij. Trupi që i përket moshës rreth 33 vjeç ka pasur dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kraharor. Nuk është zbuluar ende identiteti i shqiptarit të vdekur pasi në rribat e tij nuk u gjet asnjë dokument identifikimi. Trupi aktualisht ndodhet në morgun e Selanikut. Policia greke po heton për të zbuluar identitetin e shqiptarit dhe autorët që e dhunuan atë për vdekje.

Zbardhen ngjarja, i riu grek vdiq nga alkooli dhe konsumimi i hashashit

Sarandë - Prokuroria e Sarandës ka zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së të riut grek Vasilios Gaxellos disa ditë më parë. Arben Isufi, i arrestuar dy ditë më parë, ka treguar me detaje ngjarjen që ishte mbajtur e fshehtë. Mësohet se më 13 shkurt, Gaxello dhe një grek tjetër, të shoqëruar nga Isufi kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri nga Qafë-Bota. Ata kishin ardhur për të blerë lëndë narkotike në Sarandë. Tre të rinjtë kanë drekuar në një lokal të Konispolit, ku kanë konsumuar me shumicë pije alkoolike dhe kanë shijuar cigaret e hashashit. Në shoqërinë e tyre kanë qenë dhe Muharrem Aliu dhe Refat Hasani. Më pas, 5 personat kanë shkuar në banesën e Hasanit. Sipas dëshmisë së tij 28-vjeçari grek, Gaxellos ka ndërruar jetë, por për të humbur gjurmët, trupi i tij është dërguar në afërsi të kufirit. Më 15 shkurt policia gjeti kufomën e 28-vjeçarit në afërsi të fshatit Ninat të Sarandës, 300 metra nga pika kufitare shqiptare. Në trupin e viktimës nuk u gjetën shenja dhune ndërsa dyshimet për vdekjen u hodhën tek një infarkt i mundshëm ose overdoza.

Fier, sërish dhunë ndaj bluzave të bardha

FIER- Gjatë orëve të para të ditës së djeshme u shënua një tjetër rast dhune në repartin e Urgjencës në Spitalin e Fierit. 35- vjeçari nga Semani, Eltion Gjini, ka hyrë në urgjencë në gjendje të dehur dhe ka kërkuar të marrë serum duke ushtruar dhunë ndaj bluzave të bardha, madje edhe ndaj pacientëve të tjerë në urgjencë. Policia ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes por mjekët e pavijonit kanë këmbëngulur që të mos ndërhyhet, pasi personi kishte probleme serioze me zemrën. Kanë qenë familjarët, ata që kanë qetësuar 35- vjeçarin, ndërsa incidenti pason atë të pak ditëve më parë për të cilin mjeket e spitalit kanë nënshkruar edhe një peticion ku kërkojnë mbrojtje nga raste të tilla. Peticioni është firmosur prej tyre një ditë me parë.

Miniera e Bulqizës, urdhër për mbylljen 21 subjekteve

Bulqizë - Ministria e Energjetikës jep urdhër për mbylljen e 21 subjekteve private që operojnë në minierën e Bulqizës, në zonën D të galerisë. Urdhri për mbylljen e tyre u është dërguar subjekteve me firmën e ministrit të Energjetikës, Genc Ruli.
Në shkresën zyrtare sqarohet se subjektet duhet të mbyllin aktivitetin e tyre pasi zona D shfaq rrezikshmëri të lartë për jetën e minatorëve, nisur kjo edhe nga aksidentet e fundit të ndodhura në këtë zonë të minierës. Sipas Ministrisë, shfrytëzimi i kësaj pjese të minierës është bërë deri sot në mënyrë të pastudiuar dhe të pakontrolluar nga sigurimi teknik. Për rrjedhojë, zona D e minierës së Bulqizës do të qëndrojë e mbyllur deri në studimin e plotë të saj nga një grup pune i ngritur pranë Ministrisë.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›