Ekzekutimi i trajnerit, akuzë zyrtare pronarit të lokalit
Etleva DeliaPronari i lokalit pranë të cilit u ekzekutua pak ditë më parë ish-atleti Hasan Rakipi, vendoset zyrtarisht nën akuzë për vrasje pas arrestimit për armëmbajtje pa leje. Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se ka arrestuar të dyshuarin si autor të vrasjes së trajnerit Hasan Rakipi, ndodhur në Kamëz, mbrëmjen e së shtunës. Dy ditë më parë burime nga grupi hetimor thanë se arrestuan me akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, Avni Gocën, pronarin e lokalit pranë të cilit u ekzekutua ish-atleti i ekipit “Dinamo”. Të njëjtat burime konfirmuan se Avni Goca po hetohej njëkohësisht edhe për vrasjen e ish-atletit Rakipi, duke qenë se ishin gjetur mospërputhje në deklarimet e dhëna prej tij dhe familjarëve për momentin e krimit. Ndërkohë dje, nëpërmjet një njoftimi zyrtar për shtyp, Drejtoria e Policisë së Tiranës, pohoi se ka arrestuar të dyshuarin për vrasje dhe po hetohet nga një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për “armëmbajtje pa leje”, dhe për “vrasje me dashje”. Policia e kryeqytetit u shpreh zyrtarisht në lidhje me vrasjen e Hasan Rakipit, duke thënë se i arrestuari Avni Goca, është i dyshuari si autor i kësaj ngjarje. Ai ishte arrestuar për shkak se në banesë iu gjetën rreth 100 fishekë të kalibrave të ndryshëm, gjatë kontrollit flagrant të ushtruar në shtëpinë e tij të shtunën. Masa e arrestit u ekzekutua të dielën, në kohën kur pronari i lokalit ndodhej i shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, bashkë me 19 persona të tjerë që ishin të pranishëm pranë vendit ku u vra trajneri Hasan Rakipi. Akuza zyrtareNë deklaratën e Policisë së Tiranës thuhet se, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, realizuan kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të Avni Ahmët Gocës, 52 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Kamëz të Tiranës. Sipas këtij njoftimi zyrtar, arrestimi i 52-vjeçarit është bërë për shkak se është i dyshuar për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës, pranë një lokal në Kamëz, që është edhe në pronësi të tij, ku u qëllua për vdekje me armë zjarri Hasan Rakipi, 56 vjeç. “Arrestimi i tij u krye sepse dyshohet se më datë 6 shkurt 2010, rreth orës 17.30, tek një lokal në Kamëz, ku u qëllua me armë zjarri shtetasi Hasan Hasan Rakipi, dyshohet se në lidhje me këtë ngjarje, shtetasi Avni Gasa është autor i kësaj ngjarje, të cilit në kushtet e flagrancës i është ushtruar kontroll në banesë dhe gjatë këtij kontrolli janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 100 copë fishekë, model 56 si dhe 24 copë kapsolla detonator”, thuhet në deklaratën zyrtarë të Policisë së Tiranës. Më tej thuhet se në lidhje me këtë vrasje, 52-vjeçari Goca, po hetohet nga një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranë. Në fund të materialit për shtyp, policia konfirmon se materialet hetimore në lidhje me ngjarjen, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vrasjes me dashje”, si dhe të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve” ngritur ndaj pronarit të lokalit ku ndodhi vrasja.TIRANE / I dyshuari u ndalua pak kohë pas krimitEkspertët: Avni Gocës nuk iu gjetën “faktorët e qitjes me armë”TIRANE - Ekspertë të Hetimit të Krimeve dhe të Laboratorit të Kriminalistikës, edhe pse të rezervuar, shprehen se të arrestuarit Avni Goca, nuk i janë gjetur elementë plotësues, në rroba, trup apo duar që ta implikojnë në vrasjen e trajnerit Hasan Rakipi. Fakti se ai është shoqëruar në polici disa minuta pasi kishte ndodhur ngjarja dhe është gjetur në shtëpi, u kanë lënë vend për dyshime oficerëve të policisë, se ai mund të ketë pasur kohë të mjaftueshme për të fshirë gjurmët e mundshme. Sipas ekspertëve, faktorët plotësues i gjenden çdo njeriu që kryen qitje me armë zjarri, në rast se nuk pastrohet ose ndërron rrobat. Faktorët plotësues janë thërrmijat e barutit që mbeten në rroba dhe në duar. Burime nga policia, por edhe nga Laboratori i Kriminalistikës, shpjeguan paraprakisht se 52-vjeçarit nuk i është gjetur asnjë element, apo gjurmë baruti që mund ta bëjnë të dyshuar drejtpërdrejt për vrasjen. Policia sqaroi se ndalimi i 52-vjeçarit në fakt është bërë disa kohë pas vrasjes së ndodhur në Kamëz çka mund t’i ketë dhënë mundësi manovrimi për heqjen e provave. Edhe fishekët e bllokuar gjatë kontrollit në banesën e tij në Kamëz, janë ekzaminuar në laborator, duke u krahasuar edhe me gëzhojat e mbetura në vendin e vrasjes por mes tyre nuk është gjetur ngjashmëri. Kalibrat e fishekëve të sekuestruar, me ata të përdorur për vrasjen e 56-vjeçarit Hasan Rakipi janë të ndryshëm. Burime nga policia thanë se Avni Goca është shoqëruar nga policia në mesin e 20 personave që u shoqëruan menjëherë pas ngjarjes së të shtunës. Ndryshe nga të tjerët, Avni Goca ndodhej në shtëpi në momentin kur policia i kërkoj që të shkonte me ta në Komisariatin nr.5, për të dhënë një deklarim, si pronar i lokalit, duke qenë se vrasja kishte ndodhur pranë lokalit të tij. Në kohën kur ai merrej në pyetje nga oficerët e policisë, paralelisht edhe me persona të tjerë që dëshmonin për ngjarjen, në shtëpinë e tij u ushtrua një kontroll gjatë të cilit u gjetën rreth 100 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe kapsollë detonatore. Veç municioneve që mbante pa leje në shtëpi, u dalluan edhe disa mospërputhje me dëshmitë e familjarëve të tij, të cilët ishin pyetur pas arrestimit të 52-vjeçarit. Po kështu edhe disa deklarime të personave të ndryshëm, të cilët janë shprehur se ishin në dijeni të një konflikti familjar mes viktimës Hasan Rakipi dhe të arrestuarit Avni Goca, mjaftuan që ai të hetohej paralelisht edhe për vrasjen e trajnerit.