E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Atentati i këshilltarit Hoxha, jo për motive politike

 VLORE - Hetimet paraprake e përjashtojnë mundësinë e vendosjes së lëndës eksplozive në automjetin e këshilltarit të PS për qëllime politike. Ngjarja e tre ditëve më parë ku mbeti i plagosur anëtari i Këshillit të Bashkisë së Vlorës, Morand Hoxha, vijon të mos ketë një pistë konkrete e po ashtu nuk ka as autorë. Burime nga prokuroria dhe policia bënë të ditur se po hetojnë në disa pista të mundshme për shkakun e ngjarjes. Sipas tyre, hetimet mund të marrin një drejtim të përcaktuar mbasi të vijnë nga Tirana përgjigja e mostrave të marra në vendngjarje të cilat po egzaminohen në laboratorin e Ministrisë së Brendshme. I plagosuri Hoxha ndodhet ende në spital në gjendje shëndetësore të përmirësuar. Sipas policisë, duhet kohë e mjaftueshme për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe njëherazi bëjnë apel që të mos i jepen ngjyrime politike ngjarjes, për aq kohë që ajo është në hetim e sipër. Mësohet se paraprakisht nga hetimet e deritanishme është përjashtuar mundësia e vendosjes së lëndës eksplozive në mjetin e këshilltarit të PS-së për qëllime politike. Dje reagoi dhe kreu i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Agron Sharra, i cili pasi dënoi ngjarjen, u shpreh se fjala e fundit duhet t’u lihet hetuesve zbardhja e saj.                       q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›