E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi me thikë i Ferhatit në Laprakë, kapet njëri nga vëllezërit

 

TIRANE - Pa kaluar 24 orë nga vrasja e 20-vjeçarit Jeton Ferhati në Laprakë të Tiranës, policia ka vënë në pranga personin që dyshohet se e ka qëlluar dy herë me thikë, duke i marrë jetën adoleshentit. Njëri nga vëllezërit e shpallur në kërkim ditën e vrasjes nga policia, Elvis Meta, është zbuluar falë gjurmëve të gjakut që kishte lënë gjatë rrugës për t'u fshehur në një banesë të braktisur te Bregu i Lumit, në periferi të kryeqytetit. Burime nga policia thanë se autori i dyshuar i vrasjes së Jeton Feratit, është plagosur në kokë në momentin që qëllonte me thikë viktimën. Dy palët mësohet se kanë pasur një përleshje mes tyre para se Ferhati të qëllohej me thikë në zemër, duke gjetur vdekjen më pas në spital. Një djalë që punonte në një dyqan bojërash, në pallatin para të cilit ndodhi ngjarja ditën e mërkurë, e ka qëlluar autorin në kokë me një nga kovat e bojës, duke u munduar të shmangë vrasjen e 20-vjeçarit. Ndërkohë burime nga policia treguan se 24-vjeçari Meta nuk ka bërë asnjë lloj rezistence në momentin e arrestimit, madje disa orë më pas ka pranuar edhe autorësinë, duke i hequr çdo përgjegjësi vëllait të tij. Sipas tij, i vëllai, Ervin Meta, i cili ishte gjithashtu person në kërkim, përveç faktit që ka qenë prezent në momentin e ngjarjes, nuk ka marrë pjesë në krim. Gjithashtu 24-vjeçari Meta ka deklaruar se konflikti mes tij dhe Jeton Ferhatit kishte nisur 3 ditë para ngjarjes, kur ata kanë pasur një debat në Kodër Kamzë, për parakalimin me motor. Ndërkohë ditën e vrasjes ai bashkë me të vëllain i kanë kërkuar Jetonit që të futeshin në lokal, ku do zhvillohej parti për të sqaruar muhabetin dhe ai nuk ka pranuar. Autorët e vrasjes së 18-vjeçarit Ferhati u larguan menjëherë pas krimit nga vendi i ngjarjes. Ata ikën me një motor duke arritur t'i shpëtojnë policisë, ndërkohë që kishin marrë dëmtime trupore gjatë përleshjes. Pak orë pas ngjarjes, policia deklaroi se Jeton Ferhati kishte qenë në një lokal në zonën e Laprakës, kur disa persona e kanë kërkuar jashtë për një sqarim. Në lokalin pranë të cilit ndodhi ngjarja mësohet se ishte organizuar një "party" nga disa gjimnazistë, ndërsa viktima e vrasjes, Jeton Ferhati, mësohet se kishte hyrë në lokal duke zënë një tavolinë ku priste edhe disa miq të tij. Në këtë kohë disa persona e kanë kërkuar jashtë dhe pasi viktima ka dalë nga lokali ka debatuar për pak çaste dhe më vonë është qëlluar dy herë me thikë, duke gjetur vdekjen. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›