Ekzekutimi ne Qafe Plloce 20 vete ne polici
Në vendin ku u ekzekutua Myfteri Verdha policia ka gjetur 75 gëzhoja kallashnikovi të gjuajtura nga dy armë, çka ka bërë policinë të besojë se autorët e vrasjes ishin dy persona. Ngjarja që ndodhi mbrëmjen e së martës në Qafë Plloçë në aksin Pogradec – Korçë është pasuar me shoqërimin në polici të 20 personave, të afërm, shokë dhe kundërshtarë të 46 vjeçarit Verdha. Policia tha se ende nuk kanë një element apo provë për të mundësuar zbulimin e autorëve të krimit, ndonëse i qëndrojnë versionit se vrasja ka ndodhur për hakmarrje. Të martën në mbrëmje Myfteri Verdha u qëllua me breshëri automotiku ndërsa po udhëtonte me mjetin e tij në drejtim të Pogradecit. Midis autorëve dhe viktimës ka patur një shkëmbim zjarri, por për pak minuta ai ka marrë dy plumba në trup. Verdha një vit më parë u arrestua nga policia në fshatin Leshnicë të Pogradecit. Gjatë këtij arrestimi pati edhe konflikt me armë zjarri. 46 vjeçari Verdha , sipas policisë së Korçës , konsiderohej si vrasës me pagesë dhe autor i disa ekzekutimeve të mistershme që kanë ndodhur që nga viti 1997 dhe në vazhdim. Ai ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Azem Gora të cilin e kishte dhe shok të ngushtë, në vitin 2001. Por me pas Verdha ishte lënë i liëe për mungesë provash deri momentin që edhe u ekzekutua.