E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutivi, mbledhje për të raportuar zhvillimet e fundit

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së do të mblidhet sot për të diskutuar zhvillimet e fundit pas pezullimit të Shqipërisë nga arena ndërkombëtare. Ndonëse ngjarja ka kaluar në plan të dytë pas tragjedisë së Gërdecit, drejtuesit e FSHF-së nuk do të ndalin letërkëmbimin e vazhdueshëm me FIFA-n dhe UEFA-n, duke shpresuar për një ndryshim të mundshëm të masës së marrë ndaj vendit tonë. E vetmja mënyrë që një gjë e tillë të ndodhë duhet të jetë tërheqja e plotë e shtetit shqiptar nga ndërhyrjet në autonominë e institucionit të futbollit.

Mbledhja e Ekzekutivit do të shërbejë jo vetëm për të analizuar zhvillimet e deritanishme, por edhe për të studiuar reagimet e palës shtetërore pas lajmit të pezullimit të Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare. Pritet që reagimet e Kryeministrit Berisha, ministrit Pango dhe politikanëve të opozitës t‘u dërgohen përfaqësuesve të FIFA-s dhe UEFA-s, me të cilët do të vazhdojë letërkëmbimi i rregullt dhe raportimi i vazhdueshëm i situatës. Në të njëjtën kohë, Komiteti Ekzekutiv do të dalë me një qëndrim të përbashkët të anëtarëve të saj ndaj këtyre deklaratave që kanë përsëritur për të disatën herë qëndrimin negativ të shtetit shqiptar ndaj drejtuesve të FSHF-së. Pritet që Ekzekutivi të bëjë një tjetër apel ndaj palës shtetërore, duke u përpjekur që të bindë këtë të fundit të plotësojë sa më parë kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët, në mënyrë që të arrihet në një zgjidhje të shpejtë të kësaj situate. Në të njëjtën kohë, do të bëhet një bilanc i plotë i konfliktit trevjeçar me MTKRS-në, për të pasqyruar të detajuar të gjitha zhvillimet në bisedimet dhe letërkëmbimet me palën shtetërore që me fillimin e auditimit të parë në fundin e vitit 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›