Kombëtarja "në ajër", pritet vetëm Han
Trajneri Ari Han do të jetë ai që do të vendosë nëse do të grumbullohet apo jo kombëtarja shqiptare dhe çfarë do të ndodhë me kuqezinjtë gjatë këtyre dy javëve. Pezullimi i Shqipërisë nga FIFA e ka bërë situatën kaotike dhe as vetë drejtuesit e FSHF-së nuk e dinë se si të veprojnë me lojtarët që ishin planifikuar të udhëtonin drejt Arabisë Saudite dhe atyre që do të merrnin pjesë në miqësoren me Moldavinë. Sipas rregullave të pezullimit ndërkombëtar, kuqezinjtë nuk lejohen të luajnë as miqësore, pasi anëtarët e FIFA-s mund të përballen me pasoja nëse pranojnë një ndeshje me kombëtaren shqiptare. Për këtë arsye, të gjithë janë në pritje të mbërritjes në vendin tonë të trajnerit Ari Han, i cili do të vendosë të gjitha variantet e mundshme që do të shqyrtojë në ditët e ardhshme.
Përgjegjësi i zyrës për shtyp në FSHF, Lysjen Nurishmi, bëri të ditur se vetëm pas mbërritjes së trajnerit Ari Han në vendin tonë, gjatë ditës së sotme, do të vendoset se çfarë do të bëhet në javët në vazhdim. "Pas pezullimit nga FIFA, ne nuk mund të luajmë ndeshje ndërkombëtare, qoftë edhe miqësore. Për këtë arsye, jemi në pritje të mbërritjes në Shqipëri të trajnerit Ari Han, me të cilin do të diskutojmë atë që do të bëjmë gjatë kësaj periudhe. Tani për tani, nuk u kemi komunikuar asgjë lojtarëve, pasi do të jetë vetë trajneri ai që do të ketë fjalën e fundit mbi këtë grumbullim", u shpreh Nurishmi.
Vetë FSHF do të kontaktojë edhe një herë gjatë ditës së sotme me dy kombëtaret, me të cilat kishin planifikuar miqësore gjatë ditëve të ardhshme, Arabinë Saudite dhe Moldavinë. Atyre do t‘u raportohet me saktësi se çfarë ka ndodhur gjatë ditëve të fundit dhe me shumë mundësi do t‘u komunikohet pamundësia për të zhvilluar takimet e planifikuara prej më shumë se një muaji. Por kjo nuk do të thotë se kombëtarja nuk do të grumbullohet, pasi trajneri Han mund të zgjedhë që të zhvillojë një zbor stërvitor me futbollistët kuqezi gjatë këtyre ditëve, si me ata që luajnë në kampionatin shqiptar, ashtu edhe me "legjionarët" që luajnë në Evropë, të cilët pritej të aktivizoheshin vetëm në ndeshjen me Moldavinë.
Ari Han dëshironte të njihte sa më mirë të gjithë futbollistët, ndaj kishte kërkuar zhvillimin e dy miqësoreve. Kjo mund ta shtyjë atë të shfrytëzojë pauzën e planifikuar në kampionat për të zhvilluar një grumbullim të përbashkët të dy kombëtareve, e pse jo, edhe një ndeshje miqësore mes tyre. Një tjetër hipotezë që u ka lindur drejtuesve të FSHF-së është edhe ajo e zhvillimit të një miqësoreje me përfaqësuesen Shpresa, e cila ashtu si kombëtarja, do të qëndrojë pushim më datë 26 mars, ndonëse kishte në kalendar një ndeshje me Greqinë.