"Milan Camp" shtyn prezantimin
Ngjarja tragjike e Gërdecit ka bllokuar plotësisht futbollin shqiptar, duke përfshirë këtu edhe prezantimin e "Milan Junior Camp" në Tiranë. Ishte planifikuar që zyrtarët e klubit italian të vinin sot në Tiranë për të bërë prezantimin zyrtar të projektit dhe fillimin e punës për zbulimin e talenteve në Shqipëri. Por pas asaj që ndodhi në fshatin pranë Tiranës, është menduar që kjo nuk ishte situata e përshtatshme për të menduar për futbollin, duke respektuar viktimat e incidentit tragjik. Si rrjedhojë, konferenca e "Milan Junior Camp" do të zhvillohet vetëm gjatë javës së ardhshme, në një datë ende të papërcaktuar, në varësi të zhvillimit të ngjarjeve në vendin tonë. Megjithatë, drejtuesit e Milanit kanë bërë të qartë se projekti në Shqipëri nuk do të anulohet.