Mirëpresin AAK-në koalicion

Shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci kur është pyetur se a e mirëpret PDK-ja, AAK-në në koalicion qeverisës, është shprehur pozitivisht, duke thënë se një koalicion i gjerë do të krijonte institucione më të fuqishme dhe më të suksesshme.
“Normalisht është sa më i gjerë që të jetë një koalicion, sa ma gjithëpërfshirës në këto rrethana institucionet janë më të fuqishme dhe përfaqësimi do të ishte shumë i suksesshëm. Prandaj, normalisht se përshëndetet dhe mirëpritet çdo shprehje e gatishmërisë për përgjegjësi. Nuk kemi të bëjmë këtu me privilegje e ritheksoj edhe njëherë, por për marrje të përgjegjësive. Prandaj unë e përshëndes gatishmërinë e çdo qytetari që është i gatshëm dhe të jap kontributin për të ecur më tutje”, ka thënë Grabovci.
Për më tepër, ai ka shtuar se të gjitha subjektet politike serioze i bashkohen këtij procesi të rëndësishëm që po kalon Kosova.
“Unë besoj se të gjitha subjektet politike serioze kur kanë parasysh procesin nëpër të cilin po kalon, normalisht se ata shprehin gatishmëri të marrin përgjegjësi, sepse është tepër herët të mendohet për privilegje, por ne jemi duke kaluar nëpër një proces që kërkohet nga secili, vetja e vet të jep për vendin, për fuqizimin e shtetit, të institucioneve tona dhe ecjen përpara drejt aderimit dhe rreshtimit të shteteve më të emancipuara të Evropës dhe botës”, ka theksuar ai.
Gjithashtu Grabovci ka shprehu besimin se në seanca e parë e sesionit vjeshtor do të filloj me procesin e përmbylljes së pavarësisë që është një e arritur jashtëzakonisht e rëndësishme, madje duke e vlerësuar si më të rëndësishmen pas shpalljes së pavarësisë.
AAK'ja pro dialogut dhe koalicionit me PDK'në
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka ndarë rrugët me dy partitë e tjera opozitare LDK dhe “Vetëvendosje”.
Partia e Ramush Haradinajt, do të jetë pjesë e pajtueshmërisë për dialogun me Serbinë, dhe pret që kur pas disa javësh Tribunali i Hagës ta shpallë të pafajshëm liderin e tyre, të hyjë në koalicion me PDK-në.
Koalicioni do të duhej të krijonte rrethanën që Haradinaj, që e pati lënë kryeministrinë për t`u përballur me akuzat nga Tribunali, të kthehet si kryeministër për të vazhduar punën e lënë përgjysmë.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, ka folur në detaje për planet e partisë, koalicionin, ekipin e unitetit, veriun dhe dialogun.
Njeriu që ka koordinuar ekipin e mëhershëm të Unitetit në dialogun me Serbinë, dhe ka qenë një nga pjesëmarrësit kyç në çdo reprezentacion të dialogëve seriozë mes Prishtinës e Beogradit, nuk heziton që as tash të marrë përgjegjësinë e koordinimit dhe përfaqësimit të Kosovës.
Në fakt, në intervistën e tij për “Kohën Ditore”, Blerim Shala, ka folur si përfaqësues i Kosovës në këtë proces, tek ka elaboruar në detaje çështjen se çfarë duhet të pranojë e çfarë jo pala kosovare për veriun, por edhe si duhet të definohet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.