Misioni rend dhe ligj
Shefja e re e Ambasadës së SHBA’së në Kosovë, Tracey Jacobson i ka dorëzuar të enjten në mesditë Letrat Kredenciale te Presidentja Atifete Jahjaga, bashkë me porosinë për sundim të ligjit në Kosovë.
Ambasadorja amerikane ka marrë menjëherë përgjigje nga Presidentja, e cila ka thënë se është e domosdoshme të ketë rezultate konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit.
Madje, shefja e Shtetit ka thënë se i gjithë populli e përkrah luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.
Megjithëkëtë, diplomatja amerikane ka thënë se e mirëpret angazhimin në biseda të shumta me politikanë e biznese, si dhe me shoqërinë civile.
Duke folur fillimisht në gjuhën shqipe e serbe, Jacobson është zotuar në anglisht se do të punojë së bashku me liderët e Kosovës për të pasur rezultate.
“Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës mund të çojnë përpara sundimin e ligjit dhe të vënë themele të forta për një të ardhme të begatshme, stabile dhe demokratike”, i ka thënë Jacobson Presidentes Jahjaga në një konferencë për media.
“...Është shumë domethënëse që në kuadër të avancimit të proceseve demokratike të sundimit të plotë të ligjit dhe të rendit, të kemi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar”, është përgjigjur Jahjaga.
Ajo ka treguar disponimin e qytetarëve për luftë kundër kriminalitetit.
“Në këto procese, jemi të gjithë bashkë, kemi vullnetin dhe përkushtimin dhe kemi përkrahjen e të gjithë popullit dhe gjithsesi do të kemi sukses”, ka shtuar Presidentja e Kosovës.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Presidentja dhe Ambasadorja e re nuk kanë pranuar pyetje të gazetarëve.
Në sallën e konferencave, fjala e Jahjagës dhe Jacobsonit është përkthyer edhe në serbisht.
Ambasadorja e re ka ritheksuar se e ndien veten krenare që e përfaqëson Presidentin Obama dhe SHBA’në në Kosovë, sikurse “Amerika që është krenare ta quajë Kosovën mike”.
Për raporte të mira shqiptaro – amerikane ka folur edhe Presidentja e Kosovës.
“Për Republikën e Kosovës, zhvillimi i marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është qenësore në zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të barabartë, pa dallim”, ka thënë Jahjaga.
Ambasadorja amerikanë vjen në postin e ri pas 24 vitesh përvojë në diplomaci.
Ajo e zëvendëson Christopher Dellin, i cili ishte përfshirë në pothuajse në secilën vendimmarrje të rëndësishme në Kosovë.
Megjithëkëtë, Jacobson thotë se shteti i ri ka ecur përpara qëkurse është pavarësuar më 2008.
“Është me të vërtetë kënaqësi që jam këtu në ceremoninë zyrtare të prezantimit të letrave kredenciale, ilustron pak nga përparimi i jashtëzakonshëm që Kosova ka arritur prej shpalljes së pavarësisë. Gjatë kohës sime të shkurtër këtu, vetëm sa kam vërejtur edhe llojshmërinë dhe pasurinë që e ka Kosova”, ka theksuar Jacobson.
Para se të vinte në Kosovë, Jacobson si ambasadore ka shërbyer në Turkmenistan dhe në Taxhikistan.
Ajo ka shërbyer edhe si zëvendëssekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate në Seul të Koresë Jugore, Moskë të Rusisë, e të tjera.
Ajo flet disa gjuhë, ndër të cilat edhe gjuhën shqipe dhe atë serbe.