E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, ndihmë me pajisje për Policinë shqiptare



TIRANË – Shtetet e Bashkuara ndihmojnë Policinë shqiptare. ICITAP dhuron 15 monitorë televizivë me ekran të sheshtë LCD dhe 15 kompjuterë për pajisjen e klasave të Korpusit mësimor të konferencave trajnuese. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të këtij donacioni morën pjesë; ambasadori amerikan Withers, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtues e punonjës të Qendrës së Formimit Policor. Gjatë fjalës së tij ambasadori amerikan Withers, evidentoi se qëllimi i këtij donacioni është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe trajnimit nëpërmjet metodave moderne dhe bashkëkohore. “Trajnimi është një element kritik për departamente profesionale dhe të respektuara të Policisë. Themelet e një trajnimi të shëndoshë nisin me një program mësimor të shkruar mirë, duke përfshirë planet e mësimeve të hulumtuara deri në detaj, të plotësuara me fletëpalosje dhe zbatime praktike të teorisë së përftuar në klasë. Mësimdhënia e suksesshme e leksionit kërkon një personel instruksional të trajnuar mirë dhe mjete mësimore ndihmëse trajnimi”, - theksoi ambasadori.
Ministri Basha, gjatë fjalës së tij, falënderoi në mënyrë të veçantë qeverinë amerikane dhe programin “ICITAP” për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme në zbatimin e reformës së sistemit të arsimimit dhe trajnimit policor, luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimit të integruar të kufirit, menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe zhvillimit të teknologjisë së informacionit. ”Falë mbështetjes suaj, por edhe stafit pedagogjik të Qendrës, kemi arritur standarde bashkëkohore në trajnimin e shërbimeve si dhe sukses të dukshëm në përgatitjen e brezave të parë të patrullës së përgjithshme. Të gjitha këto përbëjnë vlera të shtuara në procesin aq të rëndësishëm të përgatitjes së oficerëve të zbatimit të ligjit, të aftë për t’u përballur me krimin dhe kriminelët, të denjë për të qenë punonjës policie, të gatshëm për të sfiduar dhe goditur fenomenet korruptive dhe, mbi të gjitha mbrojtës së të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve”, – e mbylli deklaratën e tij Basha.

Antikorrupsioni, miratohet Plani i Veprimit për vitin 2010

TIRANË - Miratohet Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë ndërsektoriale të parandalimit e luftës kundër korrupsionit dhe qeverisjes transparente për 12 muajt e ardhshëm. Nën drejtimin e ministrit të Shtetit, z. Genc Pollo, u mblodh dje Grupi Ndërministror i Punës për këtë strategji, i cili miratoi planin që detajon të tëra veprimtaritë që çdo ministri do të ndërmarrë për luftimin e korrupsionit. Burimet zyrtare të zyrës pranë ministrit të Shtetit pohojnë se “Plani i punës ka të bëjë me rishikimin e procedurave e të veprimtarive ku korrupsioni është i mundur, si dhe masat që do të ndërmerren për ndëshkimin e keqbërësve të përfshirë në akte korruptive”.
Strategjia dhe Plani i Veprimit bëjnë të mundur që në çdo ministri, dikaster dhe agjenci shtetërore të verifikohet dhe reformohet çdo hap, veprimtari ose procedurë që lë shteg për ryshfet apo të tjera veprime korruptive. Komisioni Europian ka dhënë 2.1 milionë euro për luftën kundër korrupsionit dhe ky fond po zbatohet nga Këshilli i Europës.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›