E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni në shkurt arriti në 4.4%, kostoja e jetesës pëson rritje drastike



Shqiptarët po përballen me rritje progresive të kostos së jetesës, pasi çmimet në treg nuk kanë të ndalur duke kaluar çdo parashikim, madje edhe kufirin ligjor të Bankës së Shqipërisë. Kjo situatë është konfirmuar dje zyrtarisht edhe nga Instituti i Statistikave, i cili ka konstatuar se gjatë muajit shkurt, inflacioni arriti nivelin e 4.4 për qindëshit, duke tejkaluar me 0.4 për qind objektivin maksimal të parashikuar nga BSH-ja. “Çmimet e konsumit gjatë muajit shkurt shënuan një rritje 1.1 për qind krahasuar me janarin. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të konsumit është 4.4 për qind”,- u shpreh dje Hazbie Bunguri, specialiste e sektorit të çmimeve në INSTAT. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar inflacioni është rritur me 1.9 për qind, ndërsa kundrejt një muaji më parë është shënuar një rritje prej 1.1 për qind. Kjo është hera e parë në vitet e fundit që inflacioni arrin këto nivele. Sipas INSTAT-it, në shtrenjtimin e kostos së jetesës ka ndikuar kryesisht rritja e çmimeve të produkteve ushqimore. Rritja e çmimit të ushqimeve është më e larta që nga viti 1988, dhe kjo po ndodh në një kohë kur ekonomia, edhe sipas treguesve zyrtarë ka hyrë në një fazë të fortë ngadalësimi. Buxhetet familjare po goditen nga rritja e çmimeve tek mallrat më të domosdoshme të konsumit. Gjasat janë që rritja e çmimeve në treg të vazhdojë edhe për një periudhë të pacaktuar për shkak të efekteve të mëvonshme të shtrenjtimit të energjisë, por edhe karburanteve. “Çmimi i energjisë shënoi një rritje 13.1 për qind dhe ka dhënë ndikim prej 0.5 për qind në totalin e ndryshimit të indeksit të çmimit të konsumit”,- u shpreh Bunguri. Indeksi i grupit “ushqime dhe pije alkoolike” ka shënuar një rritje prej 2.4 për qind, ku shtrenjtim kanë pësuar pothuajse të gjithë artikujt ushqimorë. Në inflacionin e muajit shkurt ka ndikuar edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, në masën 0.5 për qind. Ndërkohë rritje kanë pësuar dhe çmimet e karburanteve, si dhe grupet e tjera.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›