Ina Rama: “Krimi ekonomik dhe korrupsioni nën petkun e ligjshmërisë”
Thimi Samarxhiu
TIRANË – Kryeprokurorja Ina Rama vë alarmin për sofistikimin e krimit ekonomik dhe të korrupsionit. Këtë gjë ajo e ka shprehur gjatë një takimi me përfaqësuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të Malit të Zi. Theksi i fjalës së saj u vu te lufta me të gjitha forcat ndaj këtyre fenomeneve, duke ngritur struktura të posaçme për goditjen e tij.
Deklarata
“Krimi është sofistikuar në ditët e sotme, veçanërisht ai ekonomik, por dhe korrupsioni; atë nuk e gjejmë më në format e tij klasike. Ky lloj kriminaliteti shfaqet sot agresiv, i rafinuar, i mirorganizuar, i aftë të zhvillohet në dukje nën petkun e një aktiviteti të ligjshëm”. Kështu është shprehur kryeprokurorja Ina Rama gjatë takimit të djeshëm me delegacionin e ardhur nga Mali i Zi. Ajo u shpreh më tej se për këtë qëllim, trajnimi e profesionalizimi i prokurorëve dhe oficerëve të njësive është jetik për mirëfunksionimin e këtyre strukturave. Ata duhet të jenë të aftë të konstatojnë e të zbulojnë faktet kriminale të fshehura me mjeshtëri nga autorët e krimit, duhet të mbledhin provat e nevojshme dhe duhet të bindin më pas gjykatën në një proces gjyqësor për fajësinë e të akuzuarve. Gjatë këtij takimi, Ina Rama nuk mbeti pa vënë në dukje dhe problemet që vijnë gjatë gjykimit të këtyre çështjeve. “Mendoj që trajnimi më i specializuar në këtë fushë do të ishte i vlefshëm njësoj edhe për gjyqtarët që i gjykojnë këto raste duke qenë se kemi të bëjmë me forma të reja të kriminalitetit e metoda të posaçme të hetimit të këtyre veprave”, - u shpreh kryeprokurorja.
Takimi
Një përfaqësi e Prokurorisë së Malit të Zi ishte e pranishme dje në Prokurorinë e Tiranës, ku u zhvillua një seminar për të shkëmbyer eksperiencat e dy vendeve në drejtim të forcimit të luftës kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Përveç kryeprokurores Ina Rama, në këtë takim ishin të pranishëm dhe ambasadori amerikan Withers, Djurdjina Ivanoviç, prokurore speciale e Malit të Zi për krimin e organizuar, korrupsionin, krimet e luftës dhe terrorizmin dhe Cynthia Eldridge, këshilltare Ligjore rezidente për antikorrupsionin e OPDAT-it në Shqipëri.
Gjatë këtij takimi u paraqit dhe puna e Njësisë së Përbashkët Hetimore, e cila prej disa kohësh është duke luftuar krimin ekonomike. Prej disa kohësh lufta kundër këtij lloj kriminaliteti është konsideruar si prioritet i punës së Prokurorisë shqiptare dhe këto njësi janë krijuar pikërisht për të përfaqësuar në të gjithë dimensionin e tij nevojën për të fokusuar punën dhe energjitë në një sektor vital për ekzistencën e vetë shoqërisë shqiptare në kontekstin e një shoqërie pjesë e familjes së madhe europiane. Kryeprokurorja Ina Rama, ndër të tjera, paraqiti te homologët malazezë dhe punën e bërë deri tani nga njësitë e hetimit të përbashkët dhe rezultatet e arritura prej tyre.
9 Mars 2010