E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti për strehimin, 2578 banorët do të strehohen në ish-Uzinën e Autotraktorëve



Emanuela Sako

Projekti për strehimin e qytetarëve të Tiranës që kanë aplikuar pranë Bashkisë së Tiranës, parashikon të strehojë 2578 banorë vetëm në ish-uzinën e Autotraktorëve në Shkozë. Zbatimi i këtij projekti nga Bashkia e Tiranës tashmë ka nisur të vihet në funksion. Sipas projektit është parashikuar ngritja e 417 njësi apartamentesh. Ndërkohë që ndarja do të jetë në bazë të numrit të familjarëve dhe për këtë janë parashikuar banesa me shumë hapësira dhe me hapësira të vogla. Kështu, ndërtesat do të kenë 82 njësi garsoniere 32.5 m2, 82 njësi tre + një 61 m2, 110 njësi një + një 46 m2, si dhe 143 njësi dy + një 53.5 m2. Projekti është parashikuar që të përfundojë brenda vitit 2010, ndërsa aplikantët kanë të drejtë të dorëzojnë dokumentacionin dhe të përzgjidhen nga Drejtoria e Strehimit pranë Bashkisë së Tiranës.
Projekti
Ndërkohë që do të ketë dhe mundësi punësimi për familjarët në nevojë dhe mundësi shkollimi e edukimi për të vegjlit. Kjo pasi katet e para të pallateve do të shërbejnë si aktivitete biznesi apo çerdhe, kopsht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale do të vihen në dispozicion të banorëve. Kështu, nga të dhënat e deritanishme janë parashikuar që 4500 metra katrorë do të jenë në dispozicion të bizneseve, me kushte lehtësuese për të zhvilluar biznese të vogla, me qëllim punësimin e familjeve të pastreha me probleme ekonomike e sociale. Fondet për financimin e këtij projekti janë 12 milion euro nga të cilat 6.347 milion euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Europës, e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës. Njësia e Menaxhimit të Projektit pranë Bashkisë së Tiranës bën të ditur se tashmë zbatimi i projektit pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë është në fazat e para. Aktualisht po kryhet pastrimi i 15 mijë metrave katrorë të zonës ku do të ndërtohen pallatet dhe menjëherë do të fillohet nga puna. Punimet për ndërtimin e banesave sociale do të zgjasin përreth 18 muaj dhe do të përfundojnë në fund të 2010-s. Tashmë janë përcaktuar të gjitha detajet që janë parashikuar të zbatohen në këto objekte ndërtimi. Kështu, përveç garsonierave, apartamentet e tjera do të jenë 2 + 1 apo 3 + 1. Pallatet do të jenë 6-katëshe, ku kati i parë do të jetë për shërbime të ndryshme, si kopshte, çerdhe, dyqane ushqimesh, veshjesh etj. Për shkak të kostos së lartë që kërkon ndërtimi i pallateve, këto ndërtesa nuk do të kenë ashensor dhe as parking në bodrumin e pallatit.
Punësimi
Sipas Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU), banorëve u është vendosur një kufi i limituar qëndrimi në banesa, i cili do të detajohet më vonë nga specialistët. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve, apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë, që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Pagesa mujore që do të bëjnë qytetarët nuk është përcaktuar ende. Por, të gjithë banorët që do të strehohen nëpërmjet këtij projekti kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e banesës në bazë të pjesëtarëve të familjes dhe hapësirës që duan të kenë. Ndërsa pjesa tjetër i takon Drejtorisë së Strehimit, e cila, përveç kërkesës së banorëve, do të bëjë seleksionimin, duke u dhënë hapësirë banimi më të madhe familjeve të mëdha dhe anasjelltas.

Parametrat teknik tregues të studimit urbanistik pjesor:

Sipërfaqe territoriale 162 083 m2
Sipërfaqe banim bazë 18 053 m2
Sipërfaqe total banimi 108 318 m2
Koeficienti i shfrytëzimit të territorit 0.22
Numri maksimal i kateve të banimit 6-katëshe

Përbërja

Numri i banorëve 2 578 banorë
Njësi apartamentesh 417
82 njësi garsoniere 32.5 m2
82 njësi tre+një 61 m2
110 njësi një+një 46 m2
143 njësi dy+një 53.5 m2

Gripi A/H1N1, shënohen 121 raste me virusin e gripit të derrit

Shqipëria numëron 121 raste me virusin A/H1N1, i cili ka filluar të përhapet me ritme të shpejta në popullatë. Autoritetet shëndetësore kanë deklaruar se nuk do të raportojnë shifrat e të prekurve, por vetëm situatën, komplikacionet që mund të sjellë në popullatë gripi pandemik. Autoritetet thonë se nuk ka vend për panik, dhe se situata është nën kontroll. Ndërkohë që, drejtuesit e shëndetësisë raportojnë dhe shifra në rritje nga gripi sezonal.
“Numri i rasteve të konfirmuara ka kaluar në shifra të larta, të cilat përgjithësisht përdoren si kriter në këto raste. Unë mund t’u konfirmoj juve sot, numri i rasteve të konfirmuara me gripin H1N1, është 121, ndërkohë që dy ditët e fundit, numri i rasteve me influencë stinore është rritur”, - shprehet Pëllumb Pipero, Drejtor i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.
Mostrat që po merren në qendrat shëndetësore, po verifikohen në laboratorin e virologjisë në ISHP. Ky laborator çdo ditë verifikon rreth 20 mostra të pacientëve që kanë shfaqur shenjat klinike të gripit. Ditët e fundit situata po pëson një rritje tepër të shpejtë të personave të prekur me virusin e gripit të derrit. Kjo tregon se qytetarët tashmë janë tepër të rrezikuar nga përhapja e virusit, qoftë në ambiente publike, institucione shkolla, çerdhe etj. Specialistët bëjnë të ditur se aktualisht së tepërmi numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm, i cili po shfaqet më agresiv se gripi i derrit. Njëkohësisht, ata bëjnë apel për marrjen e masave parandaluese të këtij virusi, i cili nëse kombinohet me gripin e derrit mund të jetë më i rrezikshëm.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›