Avokatët, “lumë apelimesh” për lirinë e biznesmenit Taçi
Laureta Rryçi
Biznesmeni Rezart Taçi mbeti sërish në burg dje, pavarësish tentativave të avokatëve për të shfrytëzuar çdo klauzolë për lirimin e tij. E njëjta gjyqtare, Fahrije Budo, me vendimin e djeshëm, tregoi edhe njëherë se nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me pozicionin e biznesmenit dhe masës së sigurisë që duhet dhënë për të. Kështu, Gjykata e Shkallës së Parë la në fuqi vendimin e mëparshëm “burg pa afat” për presidentin e kompanisë së naftës "Taçi Oil", Rezart Taçi. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe përfaqësuesi i akuzës, ku sipas tij, “nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për Rezart Taçin, kësisoj dhe masa e sigurisë duhet të mbetet e njëjtë”. Sipas burimeve, i pandehuri nuk ishte prezent në seancën e djeshme, por u përfaqësua nga avokatët e tij, Maksim Haxhia dhe Artan Hajdari.
Kërkesat
Burime që ishin prezente në sallën e gjyqit treguan se avokatët e bosit të kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, i cili ndodhet prej dhjetë ditësh në qeli si i akuzuar për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze, i kërkuan Gjykatës revokim të masës së arrestit “burg pa afat” në një masë më të lehtë. Avokati Maks Haxhiaj mësohet se kësaj radhe i ofroi 50 mijë euro garanci, por pa mundur të bindte gjyqtaren Fahrie Budo. Gjyqtarja vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm për Taçin, “burg pa afat”. Avokatët u shprehën se do të apelojnë vendimin dhe seanca e ardhshme për Taçin pritet të mbahet më 19 nëntor dhe do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit.
Incidenti
Presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, u prangos pasi u denoncua nga gazetari Mero Baze për dhunën e ushtruar ndaj tij në orët e vona të mbrëmjes së 2 nëntorit, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Vetë Taçi pretendon se është i pafajshëm dhe se nuk e ka goditur fizikisht gazetarin Baze. Pas komunikimit të masës së sigurisë, biznesmeni i kërkoi Gjykatës revokimin e masës së sigurisë që mori pak ditë më parë. Kërkesa e tij u paraqit zyrtarisht nga avokatët në kryesekretarinë e Gjykatës së Tiranës. Sipas burimeve zyrtare pranë kësaj gjykate mësohet se kërkesa për revokim të masës së sigurisë ndaj Rezart Taçit, e dorëzuar nga avokatët Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, kishte si objekt kërkesën ndaj gjykatëses Farije Budo që të ndryshojë masën nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”.
Box
Garancitë që nuk pranohen nga Gjykata
Presidenti i kompanisë “Taçi Oil” nuk i shpëtoi qelisë edhe pse dha garanci dje 50 mijë euro. Pavarësish tentativa për të ofruar llogari të konsiderueshme, sërish për Gjykatën duket se nuk kanë qenë bindëse për të lënë në gjendje të lirë biznesmenin. Ditën kur iu komunikuar akuza, avokatët e Taçit patën ofruar dyfishin e shumës që ofruan dje, ata vunë në dispozicion të gjykatës 100 mijë euro si garanci pasurore.
Në burg edhe dy truprojat që goditën gazetarin
Në arrest me burg janë dhe dy truprojat biznesmenit Rezart Taçi, që u përfshinë në sherr. Gjykata dha masën e sigurisë arrest me burg për Blerad Liron dhe Yrgen Selfon. Sipas Prokurorisë, mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, biznesmeni Rezart Taçi dhe disa nga truprojat e tij dhunuan në një lokal në kryeqytet gazetarin Mero Baze. Të pranishëm në vendngjarje ishin dy gazetarët e njohur Arban Hasani dhe Andi Bushati. Policia arrestoi truprojën e tij, Bledar Lilo dhe shtetasin Arjan Selfo, ndërsa shpalli “në kërkim policor Rezart Taçin. Prokuroria nisi hetimin për pronarin e ARMO-s pas denoncimit të bërë nga gazetari Baze. Më pas, Rezart Taçi bëri një deklaratë për mediat, ku tha se nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj gazetarit dhe e gjitha kjo bëhet për t’i marrë bizneset. Sipas Prokurorisë, një deklarim i tillë bie ndesh me deklaratat e bëra në media nga dëshmitarët në vendngjarje. Pas ngjarjes, pati reagime të shumta të cilat dënonin incidentin me gazetarin. Ndërkohë që Taçi u vetëdorëzua një orë pasi u dha vendimi i Gjykatës për ta shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Abuzimi me fëmijët
Adoleshenti fundos me dëshminë e tij dy shtetasit anglezë
Seanca e radhës në procesin ku janë të pandehur dy shtetas anglezë vijoi dje me një tjetër dëshmi tronditëse mbi abuzimin me fëmijët. Dy dëshmitarë mësohet se kanë ardhur posaçërisht nga Kalifornia, me urdhër të gjykatëses Shefkie Demiraj. Dëshmitarët u mbyllën në një sallë në Gjykatën e Tiranës, nga ku dhe vijuan dëshminë e tyre. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se i mituri rrëfeu në praninë e psikologes dhe gjatë seancës se nuk ka pasur asnjë përballje me të pandehurit për të ndaluar ndonjë ndikim të të arrestuarve mbi ta. Dëshmia e të miturit ka zgjatur mbi pesë orë, ndërsa Gjykata zyrtarisht nuk dha asnjë detaj të rrëfimit të fëmijës. Jo zyrtarisht mësohet se fëmija e ka akuzuar të pandehurin Dino Kristodulu për abuzime seksuale me të. Për skandalin seksual që tronditi vendin katër vjet më parë, një tjetër i huaj, John David Broun po vuan dënimin për abuzime me fëmijët në qendrën “Fëmijët e Tij”, në Tiranë. Burimet treguan gjithashtu se fëmija, përmes video-konferencës në Gjykatë, dëshmoi dje se dy shtetasit anglezë, miqtë e Braunit, e kanë dhunuar seksualisht, madje duke përdorur ndaj tij dhe dhunë. Adoleshenti ka qenë vetëm 10 vjeç kur është strehuar në qendër dhe për një vit rresht ai është torturuar dhe abuzuar në mënyra rrëqethëse. Në proces ka dëshmuar edhe një shtetas amerikan, i cili e ka birësuar të miturin pas tmerreve të përjetuara në qendrën që cilësohej si bamirëse. Dëshmitë e sjella në këtë seancë gjyqësore rëndojnë akuzën ndaj 2 të pandehurve për abuzime me fëmijët e qendrës, së cilës iu vu kyçi pas zbulimit të skandalit. Fakti u bë i ditur dje gjatë seancës së radhës në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës ndaj Robin Arnoldit dhe Dino Kristodulus. Dino Kristodolu dhe Robin Arnold akuzohen për të njëjtat vepra penale njësoj si David Braun. Kristodulu dhe Arnold u arrestuan pak muaj më vonë në Londër dhe aktualisht janë ekstraduar në Shqipëri duke qenë pjesë e një procesi gjyqësor me të njëjtat akuza.
18 Nentor 2009