E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet me armë në mes të qytetit 20 vjecari

RRESHEN-Rrësheni u trondit dje nga një vrasje e ndodhur rreth orës 22.45 të mbrëmjes në mes të qytetit. U godit me armë zjarri 20-vjeçari Edison Jaku, i cili u qëllua për vdekje në hyrjen e pallatit që gjendet pranë lokal “Europa” në qendër të qytetit. Burime nga policia lokale thanë dje për Gazeta Shqiptare se kanë një të dyshuar për vrasjen, e cila ka ardhur në fakt për motive banale. Mes vrasësit, që nuk ka qenë i vetëm në këtë ngjarje tragjike që i mori jetën të riut 20 vjeçar, dhe viktimës, ka pasur një sherr para dy javësh, sherr që në mbremjen e djeshme ka përfunduar me vrasjen e 20 vjeçarit Edison Jaku. Sipas informacioneve paraprake të policisë, autori i krimit vjen nga një fis me probleme të shumta me drejtësinë dhe vetëm para pak kohësh kanë dalë nga burgu. Menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja tragjike, nga Tirana kanë udhëtuar drejt Rrëshenit forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat kanë ndërmarrë operacione kontrolli në të gjithë zonën për të kapur autorin e krimit. Ndërkohë nga Tirana janë nisur grupe ekspertësh, madje janë nisur edhe ekspertë të Krimeve të Rënda për të parë nga afër vendin e ngjarjes dhe për të zbuluar shkaqet. Në akset kryesore rrugore, por edhe ato dytësore u ngritën menjëherë postblloqe policie për kapjen e autorit të krimit, i cili duket se është evidentuar nga policia, madje ka qenë edhe i skeduar si kontingjent i krimit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›