E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e kutive, protesta e PS vazhdon në Lushnje

TIRANE-Socialistët pritet të protestojnë në qarkun e Fierit, pas protestës së organizuar në Shkodër. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se një ide është që mund të jetë Lushnja një nga qytetet e këtij qarku, ku do të përqendrohet reagimi opozitar për t’i kërkuar kryeministrit Berisha hapjen e kutive të 28 qershorit. Të njëjtat burime thanë se nga kjo javë po mendohet që protestat të zhvillohen më të shpeshta, për të bërë të mundur që në 20 nëntor të gjitha qarqet të jenë lajmëruar për manifestimin e madh në Tiranë. Fillimisht gjithçka nisi nga Tirana, ku u kërkua nga një koalicion i gjerë partish të majta e të djathta hapja e kutive të 28 qershorit. Më pas protesta iu drejtua Beratit, ku PS-ja pretendon se i kanë vjedhur të paktën një mandat deputeti. Nga Berati, Edi Rama shoqëruar me deputetët e PS-së dhe vetëm Spartak Ngjelën nga e djathta, kërkuan hapjen e kutive në Shkodër dhe përveç kësaj u kërkua edhe dorëheqja e kësaj qeverie. Ndërkohë tashmë socialistët dhe aleatët e tyre janë duke përgatitur turin në qarqet që kanë mbetur, për ta mbyllur sërish me kryeqytetin, ku është paralajmëruar se do të jetë reagimi më i madh opozitar. Në protestën e Beratit Edi Rama paralajmëroi se Berisha do të përballet me barrikadën njerëzore, ndaj i kërkoi atij të hapë kutitë e votimit të 28 qershorit për të bërë transparente çfarë përmbajnë ato.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›