E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet me armë shqiptari në Itali



BRESHIA -Një emigrant shqiptar në Itali është qëlluar për vdekje në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pa kaluar ende 24 orë nga ekzekutimi i një bashkatdhetari të tij, që sipas policisë u vra për hakmarrje. Por ndryshe nga vrasja e kamarierit Lorenc Lame në Siena, për të cilën Policia Italiane nuk ka ende një emër autori, mediat shkruajnë se autorët e vrasjes së 44-vjeçarit Shpëtim çupa në Breshia janë identifikuar dhe pritet arrestimi. Sipas policisë së shtetit fqinjë, personi që ka qëlluar për vdekje emigrantin çupa, i cili ishte person me precedentë penal, është një tjetër shqiptar, me të cilin viktima kishte qëndruar për disa muaj në burg. Shpëtim çupa është gjetur i shtrirë në një pellg gjaku, në sheshin e një parkingu makinash, në tentativë për t’u larguar me automjetin e tij. çupa ndodhej në një lokal me emrin “Kopakabana” në Breshia, nën shoqërinë e disa shqiptarëve të tjerë, kur ka nisur një debat me personin që dyshohet se është autor i vrasjes së tij. Policia dyshon se çupa kishte “hesape” të vjetra me autorin dhe pasi kanë debatuar e janë qëlluar me grusht me njëri-tjetrin, 44-vjeçari ka dalë me shpejtësi nga lokali në drejtim të parkingut për t’u larguar me makinën e tij. Por autori e ka ndjekur nga pas, duke nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe janë përballur në hapësirën mes dy makinave të tyre, një “BMë X5” dhe një “Golf”. Autori ka qëlluar katër herë në drejtim të Shpëtim çupës, por vetëm dy nga plumbat kanë arritur ta kapin. Sipas policisë çupa është qëlluar me një plumb që ka prekur të dy këmbët e tij dhe një plumb tjetër në gjoks. Pasi kanë lajmëruar policinë, miqtë e 44-vjeçarit janë munduar që ta dërgojnë në spital, pasi ai kishte ende shenja jete, por pas disa orësh nga ndërhyrja kirurgjikale, çupa ka ndërruar jetë. Policia ka marrë në pyetje të gjithë personat që ndodheshin në lokal dhe që kishin parë debatin mes dy shqiptarëve dhe nëpërmjet dëshmive dhe gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit, i cili është shpallur në kërkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›