E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku i një opozite jo-politike

Henri Çili

Largimi pa rezultat për zgjidhjen e krizës i delegacionit të Këshillit të Europës la pas të vërtetën e thjeshtë të krizës shqiptare. Faktin që kemi nevojë të normalizojmë aksionin politik të opozitës.
Duke përdorur teknikat krejtësisht normale të negocimit politik modern, me parimin që asnjë palë nuk përfiton 100 përqind të pretendimeve, Këshilli i Europës, ka bërë një propozim tejet të gjetur duke qenë të drejtë me të gjitha palët dhe duke qenë realistë politikisht: futja e opozitës në Parlament, ngritje e komisionit të hetimit të zgjedhjeve, dërgimi i çëshjes së hapjes së kutive në Gjykatën Kushtetuese dhe meqë kjo e fundit është shprehur më parë lidhur me këtë çështje, dërgimin e kësaj çështjeje në Komisionin e Venecias. Kjo formulë zgjidh ngërçin, i jep udhë procesit politik dhe konsideron e respekton kërkesat e palëve.
Opozita nuk e ka pranuar këtë formulë duke insistuar në një çështje të vetme: hapja e kutive. E gjitha sa ndodh, jo vetëm rrezikon ta lërë opozitën jashtë insitucioneve, por rrezikon përfundimisht të kemi një opozitë a-politike, një opozite që funksion pa logjikë politike. Pa logjikë politike është bojkoti i zgjedhjeve, pa logjikë është komunikimi më aktorët insitucionalë, me faktorët e opinionit publik dhe më së fundi pa logjikë dhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Të gjithë si shoqëri, jemi të interesuar për një opozitë të fortë dhe politike dhe nuk ka asnjë kuptim kritika ndaj opozitës, e cila është një formë e anti-opozitarizmit më traditë të gjatë në këtë vend. Duke e analizuar opozitën, pa e gjykuar atë, pasi secili grupim politik gëzon të drejtën e plotë të veprojë brenda sistemit demokratik, brenda e jashtë insitucioneve, madje deri në kufinjtë e “mosbindjes civile”, në të vërtetë ka vetëm një shqëtësim publik, të cilën kemi të drejtë ta shprehim: një opozitë normale dhe politike.
Një prespektivë për politizimin e opozitës, ose më saktë për normalizimin e saj, ka disa shanse.
Së pari; opozita ka nevojë që të përputhë format dhe përmasat e aksionit me kauzën e saj në një mënyrë të përshtatshme. çdo distancë e paarsyeshme mes këtyre të dyjave e nxjerr aksionin e opozitës nga shinat e të qenit politike. Ky është rasti i kutive që po ndodh aktualisht: nga njëra anë opozita thotë se e njeh rezultatin e zgjedhjeve, e njeh legjitimitetin e institucioneve dhe se me hetimin e zgjedhjeve ka një qëllim dhe vetëm një: thjesht përmirësimin përfundimtar të standardeve për zgjedhjet e ardhshme. Në raport me këtë pretendim krejt të drejtë dhe të ligjshëm bojkoti i plotë i Parlamentit dhe për më tepër vijimi i tij edhe pas formulave të zgjdhjes së krizës nga ana e Këshillit të Evropës është një aksion jo vetëm shproporcional, por edhe i parsyeshëm. Ndaj insistimi në këtë çështje e kalon opozitën në shina jopolitike, e lë indiferente shoqërinë dhe shpejt i lë indifferentë edhe ndërkombëtarët. Opozita e Edi Ramës sot ka nëvojë për të përputhur kauzën me aksionin e saj.
Së dyti, nëse opozita e ka ndarë mendjen për ta luftuar qeverinë përmes bojkotit dhe protestave, ajo ka nëvojë tu gjejë atyrë një tezë tjetër, një kauzë tjetër. Dhe këto kauza janë krejt legjitime për një opozitë kudo ku ajo ekziston në hemisferën veriore a jugore të globit. Një opozitë që një ditë vendos të mos marrë më pjesë në institucione, të mos bashkëpunojë për asnjë reformë me qeverinë, por të dalë në rrugë për të përmbysur qeverinë, është në të drejtën e saj ta provojë këtë për ato elementë që opozitës i është mbushur mendja dhe që mund të ketë eventualisht të drejtë. Sigurisht lidershipi i opozitës merr përsipër përgjegjësinë e rezultatit në këto rast. Si përfundim ajo që ndodh sot nuk është normale. Kauza e opozitës për hetimin e 28 qershorit dhe për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme nuk përputhet me bojktotin si aksion politik. Formula e Këshillit të Europës dhe pjesëmarrja aktive në kominisionin e ardhshëm të reformës elektorale, janë plotësisht të përshtatshme për të zgjidhur këtë pretendim në kushtet kur opozita e ka pranuar rezultatin e 28 qershorit. Ndërsa nëse opozita ka vendosur të qëndrojë jashtë institucioneve, gjë që është një e drejtë e saj legjitime, ajo ka nevojë t’i japë një kauzë të re anti-qeveritare bojktotit të saj. Normalizimi dhe ri-politizimi i opozitës janë rruga e suksesit të saj, janë rruga se si ajo e shërben më shumë shoqërisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›