Plagoset 35-vjeçari, po pastronte armën
TIRANE - Një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë me armën e tij, por aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak. Bujar Lloci është dërguar në spital nga familjarët e tij mëngjesin e djeshëm dhe kanë qenë mjekët ata që kanë lajmëruar Policinë e Tiranës. Teksa kanë parë plagën e rëndë që kishte marrë 35-vjeçari Lloci, mjekët kanë dyshuar për një vetëvrasje që kishte mbetur në tentativë dhe më këtë ide kanë njoftuar edhe oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës, për të hetuar ngjarjen. Burime nga policia thanë se Bujar Lloci ishte plagosur në banesën e tij në Baldushk dhe nuk kishin të bënim me një vetëvrasje, por gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht. Efektivat e Komisariatit nr.1 të kryeqytetit kanë ushtruar kontroll në banesën e familjes Lloci në fshatin Baldushk dhe kanë mundur të gjejnë e të sekuestrojnë një pushkë model 20, të cilën 35-vjeçari e mbante pa leje. Më pas nga deklarimet e familjarëve të të plagosurit, Lloci ishte qëlluar me armë pa dashje teksa po e pastronte dhe për këtë arsye nuk kishin lajmëruar policinë. Burimet sqaruan se kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë për Bujar Llocin, i cili tashmë akuzohet për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Ndërsa mjekët e Spitalit Ushtarak konfirmuan se 35-vjeçari e ka kaluar rrezikun për jetën dhe aktualisht ndodhet i shtruar në pavijon duke marrë mjekimin e nevojshëm, pasi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, për të hequr plumbin në trup.