E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie sistemi i energjisë, i gjithë vendi në errësirë



nertila maho

Shqipërisë i është rikthyer për rreth 30 minuta errësira totale për shkak të rënies së sistemit. Një rrufe në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ka bërë që të s'takohen dy linjat kryesore të energjisë, ajo që dërgon energji në Podgoricë dhe ajo që dërgon energji në Tiranë. Kjo është hera e tretë që nga viti 2007, që i gjithë vendi përjeton momente errësire totale. Për herë të fundit, një situatë e tillë është përsëritur gjatë vitit të kaluar. Defekti ndodhi dje në orën 21:15 minuta dhe energjia u rikthye fillimisht në tiranë pas orës 21:45 minuta. Sipas burimeve nga KESH dhe OST, pas shkarkimit të rrufesë në nënstacionin 220 kv dhe daljes nga funksioni i linjave të transmetimit, sistemi i hidrocentralit të Vaut të Dejës, është mbyllur automatikisht. Një masë kjo për ruajtjen e pajisjeve. Kjo ka sjellë mungesën e energjisë në rrjet, pasi kërkesa ka qenë më e madhe se sa oferta, dhe si rrjedhojë i gjithë sistemi është lëkundur deri në rënien e tij të plotë. Sipas specialistëve, pas riparimit të defektit, koha e nevojshme për rikthimin e energjisë është rreth 20-25 minuta. Në fillim energji ka marrë kryeqyteti dhe më pas të gjithë qytetet e vendit.
Hidrocentralet
Situata në kaskadën e Drinit nuk ka ndryshuar krahasuar me dy ditë më parë. KESH ka vazhduar shkarkimet nga Komani dhe Vau i Dejës, duke përjashtuar këtë mundësi për Fierzën. Drejtori i KESH, Muharrem Stojku, shprehet se në Fierzë prurjet janë rreth 800 m3/s dhe kanë një tendencë në rënie çka përforcon më shumë idenë se porta shkarkuese në këtë hidrocentral nuk do të hapet. I pandryshuar ka qenë edhe niveli i liqenit, i cili dje shënonte 291.88 metra. KESH ka deklaruar se situata është në kontroll të plotë dhe se tashmë këtë e tregon edhe qëndrimi stabël i niveleve të liqeneve të kaskadës, duke shtuar se po shfrytëzohet maksimalisht situata për të prodhuar me kapacitete të plota në të tre hidrocentralet. Por përveç ujit që derdhet nga turbinat në punë, në Koman dhe në Vaun e Dejës kuotat e shkarkimeve nga portat kanë mbetur të pandryshuara me dy ditë më parë. Në Koman dje shkarkohej me 450 m3/s, ndërkohë që prurjet ishin në kuotën 320 m3/s kurse në Vaun e Dejës shkarkimet ishin 650 m3/s me prurje anësore 100 m3/s. Niveli i Komanit dje ishte 171.66 metra nga 175 metra që është niveli maksimal kurse Vau i Dejës ishte në nivelin 74.64 metra nga 76 metra që është niveli maksimal. Përveç tre hidrocentraleve kryesorë të kaskadës së Drinit, KESH ka dhënë detaje edhe lidhur me Ulzë-Shkopetin në të cilët kanë vazhduar shkarkime në kuotat e 400 m3/s. Niveli i djeshëm shënonte 128.18 nga 128.80 që është niveli maksimal, kurse prurjet kanë qenë në kuotën e 230 m3/s. Ndërkohë që çështja e prurjeve që vijnë nga shkarkimi i Ohrit, tashmë nuk përbën më shqetësim. Situata në kaskadë u shfaq e rënduar, në mënyrë të menjëhershme disa ditë më parë dhe në datë 18 shkurt Komisioni i Posaçëm zhvilloi edhe takimin, ku u vendos për fillimin e shkarkimeve nga Komani dhe Vau i Dejës.

Situata dje (ora 18:00)

Fierza
Prurjet 800 m3/s
Niveli i liqenit 291.88 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 0 m3/s
Turbinat në punë 4

Komani
Prurjet 320 m3/s
Niveli i liqenit 171.66 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 450 m3/s
Turbina në punë 4

Vau i Dejës
Prurjet 100 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 74.64 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 650 m3/s
Turbina në punë 5

Prodhimi 26 milion kwh
Eksporti 8 milion kwh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›