Ekzekutohet me një plumb dhe hidhet në lumë peshkatari
Artan CENA
ELBASAN - Ekzekutohet dhe hidhet në lumë një peshkatar. Ngjarja mësohet se ka ndodhur dy ditë më parë, por trupi i 50-vjeçarit Dilaver Peqini është gjetur vetëm mesditën e djeshme. Fillimisht është menduar se ishte një ngjarje aksidentale, duke qenë se ai kishte dalë për të peshkuar. Por ekzaminimet e bëra nga ekspertët mjekoligjorë kanë nxjerrë në dritë faktin se ai ishte vrarë. Gjatë analizave ata kanë gjetur një plumb në trupin e 50-vjeçarit, duke rrëzuar të gjitha hetimet që ishin bërë më parë. Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka marrë fillimisht dëshmitë e familjarëve të viktimës. Dilaver Peqini u gjet i pajetë në ujërat e lumit Shkumbin. Familjarët dhe policia kishin dy ditë që bënin kërkime, pasi nuk kishin asnjë shenjë nga ai.
Hetimet
Nisja e hetimeve është konfirmuar dhe nga burime të policisë lokale, sipas të cilave kjo gjë u vendos pas denoncimit të familjarëve të shtetasit Dilaver Peqini, të cilët pretendojnë se ai është vrarë. Por nuk ka qenë vetëm denoncimi i të afërmeve që i ka bërë uniformat blu të nisin hetimet. Burimet kanë shtuar se gjatë ekspertizës së kryer mbi trupin e viktimës është gjetur një plumb. Dilaver Peqini u gjet ditën e djeshme në lumin Shkumbin, pasi rezultonte i zhdukur që prej ditës së hënë. Mësohet se 50-vjeçari kishte dalë për peshkim në afërsi të fshatit Labinot Fushë paraditen e së hënës dhe që prej atij momenti familjarët nuk dinin më asgjë për vendndodhjen e tij duke shtuar dyshimet për një vdekje aksidentale edhe si shkak i motit të keq. Sipas të afërmve, 50-vjeçari kishte me vete rrjetat e peshkimit dhe si zakonisht qëndronte jo më shumë se 4-5 orë në brigjet e Shkumbinit kur dilte për peshkim. Menjëherë uniformat blu kanë nisur hetimet dhe përveç familjarëve të tij, kanë marrë dhe dëshmitë e të njohurve dhe peshkatarëve të tjerë, me të cilët zakonisht dilte dhe peshkonte. Gjithashtu janë bërë kërkime, por deri mbrëmjen e djeshme nuk kishte ndonjë person të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje. Uniformat blu janë duke hetuar në disa pista, por që nuk i kanë bërë të ditura.
Kërkimet
Kërkimet e familjarëve, por edhe të policisë përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin bënë të mundur gjetjen e 50-vjeçarit Dilaver Peqini në ujërat e lumit Shkumbin në Byshek të Shushicës, rreth 8 kilometra nga Labinot Fusha, ku dhe mendohej se kishte shkuar për peshkim. Fillimisht u mendua se peshkatari ka humbur jetën aksidentalisht. Por, pasi është gjetur, ekspertiza ka zbuluar një plagë në kraharorin e viktimës, e cila, pas autopsisë, rezultoi se ishte shkaktuar nga një e shtënë me armë. Kjo ka qenë arsyeja që Policia e Elbasanit tashmë ka ngritur pistën tjetër, atë të ekzekutimit nga persona ende të paidentifikuar dhe për motive ende të paqarta.
22 Prill 2010