Vendimi, si do të legalizohen objektet pa leje në zonat turistike
Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin mbi bazën e të cilit do të procedojë Agjencia e Legalizimeve për të legalizuar objektet pa leje të ndërtuara në zonat turistike. Në bazë të vendimit të miratuar nga qeveria, ALUIZNI duhet të bashkëpunojë si me Agjencinë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ashtu dhe me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ky vendim vjen në zbatim të ligjit të miratuar disa muaj më parë nga qeveria “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”.
Vendimi
Në bazë të vendimit, Agjencia e Legalizimit bën verifikimin në terren të njësive të ndërtuara menjëherë pas paraqitjes së kërkesës dhe pas kryerjes së parapagesës së tarifës nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar. ALUIZNI, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës, brenda 30 ditëve nga përfundimi i verifikimit në terren i njësisë ndërtimore, kërkon nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme informacion për gjendjen juridike të zonës së stimuluar, të shoqëruar me kopjen e dokumentacionit që disponohet, që përfshin kartelë apo regjistër hipotekor, hartë treguese të pasurisë, dokumentacionin ligjor të regjistrimit të pasurive dhe i transaksioneve të mundshme. Nëse ZVRPP-ja konfirmon se zona e stimuluar është pronë shtetërore, ALUIZNI bashkërendon punën edhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të evidentuar, kur është e mundur, nëse ka: vendime të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronës, pranë bashkive ose këshillave të qarkut, ose të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, për njohje, kthim ose kompensim të pronës; nëse ka kërkesa në proces shqyrtimi, të depozituara nga subjekte, të cilat pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar.
Agjencia e Pronave dhe ZRPP-ja e dërgojnë informacionin e kërkuar pranë Drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. ALUIZNI, pas verifikimeve të mësipërme, harton relacionin shpjegues në bazë të ligjit “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”.
Ligji
Ligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” parashikon që truallin ka të drejtë ta blejë ose pronari i objektit të ndërtuar në tokën shtetërore që është i interesuar për të privatizuar këtë truall, ose personi i stimuluar, i cili është ai person që ka marrë me qira tokën shtetërore dhe ka ndërtuar objekte në të. Në rastin kur trualli i shitet personit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80% të vlerës prej subjektit, 20% të kësaj vlere nga personi i stimuluar. Personat e interesuar për privatizimin e truallit duhet të paraqesin, brenda një afati 60-ditor, dokumentacionin që do të publikohet nga Agjencia Kombëtare e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale. Gjatë këtij procesi, ALUIZNI ka si detyrim bashkërendimin e punës me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për verifikimin e të dhënave për pronat shtetërore në zonat turistike të dhëna me qira. Blerja e truallit të njësisë së ndërtimit bëhet në bazë të kërkesës së paraqitur nga subjekti i interesuar, që mund të jetë pronari i objektit ose personi i stimuluar, pra ai që ka marrë me qira truallin shtetëror. Ndërkaq, çmimi i truallit do të jetë në proporcion me sipërfaqen në funksion të njësisë së ndërtimit. Trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi të personit që gëzon objektin e ndërtuar brenda një zone të stimuluar, që është zona turistike e ndërtuar në truall shtetëror. Kontrata e shitjes ndërmjet ALUIZNI-t dhe subjektit të interesuar lidhet vetëm pas pagimit të plotë të çmimit të shitjes. Vetëm pas nënshkrimit të kontratës, subjekti i interesuar ka të drejtë që ta regjistrojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kontratën për fitimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit. Projekti parashikon se më parë do të realizohet çregjistrimi i objekteve private të ndërtuara në truallin shtetëror, pasi regjistrimi i tyre është i paligjshëm. Është përcaktuar si i domosdoshëm çregjistrimi i shitjeve të paligjshme në mënyrë që t’i hapet rruga zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të gjendet zgjidhja në rast se subjektet që disponojnë objektet refuzojnë të blejnë truallin. Në projekt parashikohet se procesi i regjistrimit fillestar të këtyre objekteve në ZRPP do të kryhet nga ALUIZNI. Ndërsa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të drejtën e pronësisë ndërmjet subjekteve të interesuara, projektligji parashikon se ALUIZNI ka të drejtë të lidhë kontratën e shitjes me subjektin e interesuar që paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale të pronësisë.
Çmimi
Në këtë projektligj parashikohet edhe përcaktimi i çmimit të truallit që kalon në pronësi të subjektit të interesuar. Për efekt të kompensimit të ish-pronarëve është miratuar harta e vlerës së pronës dhe duke qenë se edhe fondi që do të krijohet do të vihet në dispozicion të këtij procesi, mënyra e përllogaritjes së çmimit të shitjes do t’i referohet kësaj harte. Projekti parashikon që nëse arkëtohet në mënyrë të shpejtë dhe të plotë shuma e vendosur, blerësi stimulohet përmes një zbritjeje të shumës që i detyrohet shtetit. Kjo dispozitë lehtëson mundësinë e pagesës dhe i nxit pronarët e objekteve që të shlyejnë sa më shpejt detyrimet financiare. Drafti i qeverisë ka parashikuar përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat duke mbrojtur shtetin nga pagimi i këtij tatimi. Por ky tatim do të mbahet në rastet kur paguhet nga subjektet private. Gjithashtu, projektligji parashikon mbledhjen e tatimeve të prapambetura, sipas rregullave që do të përcaktohen nga ministri i Financave dhe parashikon sanksione në rast se personat përfitues nga ky ligj nuk respektojnë kërkesat e ligjit. Këto sanksione shkojnë në favor të ish-pronarëve.
Dokumentet që duhet të paraqesë subjekti i interesuar:
Kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës.
Kontratën e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar.
Planimetrinë dhe sipërfaqen në m2 të njësisë së ndërtuar.
Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.
20 për qind ulje çmimi në rastet kur pagesa bëhet e plotë
Në projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” parashikohet masa lehtësuese në ndihmë të personave të interesuar për të bërë kalimin e pronësisë së truallit. Kështu, në nenin 15 të këtij drafti parashikohet një reduktim në masën 10% të vlerës së truallit në ato raste kur i gjithë detyrimi financiar paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim. Po kështu parashikohet një reduktim të çmimit në masën 20% të vlerës së truallit në ato raste kur detyrimi financiar paguhet brenda 1 muaji nga data e njoftimit me shkrim. Të ardhurat kalojnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Nga ana tjetër, projektligji parashikon sanksione. Në nenin 17 të këtij drafti shkruhet se në ato raste kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paraqet kërkesë për kalimin e truallit në pronësi, trualli vlerësohet i lirë dhe kalon për llogari të kompensimin fizik të ish-pronarëve.
Berisha kërkon marrjen e masave për pastërti në prag të sezonit turistik
Kryeministri Berisha kërkoi dje në mbledhjen e qeverisë marrjen e masave të menjëhershme për pastrimin e zonave turistike nga papastërtitë, mbetjet dhe nga automjetet e dala jashtë përdorimit, të mbetura në anë të rrugëve. “Gjendja e papastërtisë në prag të sezonit turistik është e jashtëzakonshme dhe kjo kërkon një ndërhyrje emergjente, me të gjitha mjetet, për të pastruar me shpejtësi të gjithë zonën turistike. Ministri i Mjedisit ka sjellë një dokument shumë të hollësishëm, ku paraqitet një gjendje tmerrësisht e papranueshme në zonat tona kryesore turistike. Një gjendje që nuk i nderon aspak autoritetet vendore të këtyre zonave, të cilët kanë detyrë kryesore mirëmbajtjen e tyre. Por nuk mund të rrimë të bëjmë debate me ta, por së bashku me ta do të angazhohemi të pastrojmë zonat dhe jo vetëm plazhet, por të gjithë Shqipërinë nga çdo hedhurinë automjeti. Nuk ka vend në botë që të jetë i mbytur me automjete të ndryshkura si ky vend”, - është shprehur Berisha. Kryeministri bëri të ditur se brenda kësaj jave do të ngrihet një Task-Forcë që do të përcaktojë të gjitha modalitetet e tërheqjes dhe grumbullimit të tyre në një vend të vetëm, do të përcaktojë sanksionet më të rënda për të gjithë ata që hedhin automjetin e tyre në anë të rrugës apo kudo ku nuk duhet hedhur. “Do të bëhet një hetim shumë i rreptë dhe do të përcaktohen sanksione ligjore shumë të rënda, sepse në këtë mënyrë ne bëjmë figurën më të shëmtuar”,- tha Berisha. Gjithashtu, kryeministri Berisha theksoi se është e domosdoshme të ndërmerren masa të tilla si ndalimi i përdorimit të qeseve plastike, në favor të përdorimit të qeseve të letrës, si edhe për shishet plastike, edhe nëpërmjet përcaktimit të stimujve për arritjen e këtij qëllimi.
“Zoti ministër i Mjedisit, duhet të konsiderohet në mënyrë shumë serioze ndalimi i përdorimit të qeseve plastike dhe kalimi tërësisht te letra. Këtë e kanë bërë disa vende, Franca etj., deri dhe Ruanda. Të përcaktojmë një datë, përtej së cilës nuk do të mund të përdoren më qeset plastike, por të zëvendësohen me qese letre. Letra degradon, kalbet dhe kjo ka qenë arsyeja që shumë vende kanë vendosur këtë masë. Natyrisht, do të jepet kohë për nisjen e kësaj mase. Së dyti, do të përcaktohet mekanizmi i trajtimit të shisheve. Derisa të arrijmë në kulturën që shqiptarët të bëjnë ndarjen e mbeturinave, duke i hedhur në kosha të veçantë, të vendosim një stimul për përdorimin e shisheve. Kjo bëhet me detyrimin e atij që shet me shishe, për t’i kthyer blerësit shumën e mbajtur, kundrejt kthimit të shishes të qelqit, sikundër të shihet edhe për shishet plastike. Së treti, të kufizojmë në maksimum, përveçse për qëllime të serave, përdorimin e plastmasit, kudo që të jetë e mundur. Të përcaktojmë kushte për fermerët, edhe me një stimul, se si duhet të veprojnë për plastmasin që përdorin, të cilin e ndërrojnë pas një viti dhe e hedhin. Të përcaktojmë edhe bonuse, në mënyrë që t’i dorëzojnë aty ku do të dorëzohen edhe shishet plastike; gjë që ka filluar. Ekzistojnë dy qendra që bëjnë riciklimin e tyre dhe ne mund t’i stimulojmë ato. Task-Forca të përcaktojë edhe buxhetin që nevojitet, të hartojë vendimin e qeverisë për të, ndërhyrjen urgjente në të gjithë territorin e vendit për makinat e prishura dhe për pastrimin e zonave turistike”, - është shprehur Berisha.
22 Prill 2010