E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi “Skënderbej”, Berisha dhe Rama përplasen në distancë



Eljona Ballhysa
Dy liderët e politikës shqiptare janë përplasur sërish dje përsa i përket rikonstruksionit të sheshit “Skënderbej”. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, urdhëroi ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Oldashi, që të takojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për të diskutuar rreth pikave për të cilat palët nuk bien dakord. Berisha e ka vënë theksin te moszgjidhja e çështjes së trafikut. Ai e cilësoi provën e djeshme të Ramës për bllokimin e sheshit “Skënderbej” dëshmi të kaosit të makinave që shkakton projekti i ri. Në të njëjtën kohë kur Berisha rendiste argumentet e tij kundër projektit, Rama, nga sheshi “Skënderbej”, e cilësoi planin rregullues si planin e së ardhmes dhe që do t’i japë Tiranës sheshin më të bukur në Europë. Rama kërkoi që rikonstruksioni i sheshit të gjejë mbështetjen e të gjitha institucioneve dhe punimet të vazhdojnë larg retorikës politike.
Rama
“Ky është një projekt që kërkon lënien jashtë të komenteve politike. Ne po ndërtojmë një shesh ‘Skënderbej’ të rikrijuar mbi bazën e së shkuarës duke u ndërthurur me modernen. Ky është një projekt që ka një kompleksitet dhe që një dinamikë pozitive që duhet realizuar me ndihmën e të gjithëve”, - është shprehur Rama pas provës së bllokimit të trafikut gjatë paradites së djeshme në Tiranë. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, gjatë një inspektimi të punimeve edhe me këshilltarin e kryeministrit kuvajtian, financuesi i sheshit “Skënderbej”, tha se problemi i trafikut do të zgjidhet në Tiranë vetëm nëse Unaza e Madhe dhe ajo e Vogël bëhen funksionale dhe përfundojnë punimet në to.
“Sot është bërë vetëm një provë e parë. Kjo nuk mund të ndryshojë duke bërë një ndërprerje të menjëhershme dhe radikale të trafikut. Është e domosdoshme të fillojë puna për mbylljen e Unazës së Vogël duke bërë shpronësimin tek INSIG-u, duke e kompletuar unazën, të fillojë puna për Unazën e Madhe”,- tha Rama.
As një minutë nga deklarata e Berishës, kryetari i Bashkisë, Edi Rama, iu përgjigj kryeministrit se nuk do të ketë zhvendosje të monumentit të Skënderbeut nga sheshi. “Çrregullimi më i habitshëm. Ideja për të lëvizur monumentin nuk ekziston. Puna është pilotimi rreth e rrotull monumentit për të garantuar patundshmërinë e monumentit dhe simbolit ku është dhe do të mbetet gjithmonë”, - deklaroi Rama nga sheshi në qendër të Tiranës. “Nuk shoh asnjë arsye për të pasur divergjenca, por shoh arsyen për të pasur konvergjenca për një shesh që nuk është vetëm i bashkisë, por i të gjithë qytetarëve dhe shqiptarëve”, - nënvizoi më tej Rama, duke shtuar se kullat janë “opsione, të cilat nuk ka arsye të përfshihen për momentin në diskutimin e tanishëm”. Më tej ai dha detajet e projektit të sheshit “funksional”, i cili do të ketë një infrastrukturë ujorë që do të vetëpastrojë sheshin dhe do të kthehet në shatërvanë dhe në forma të ndryshme të ujit sipas evenimenteve të ndryshme”.
Berisha
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, Berisha kërkoi një takim mes ministrit Olldashi dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ndërsa renditi ato që ai i cilësoi si problematika të planit rregullues të sheshit “Skënderbej”.
“Tri janë çështjet që ministri i Punëve Publike dhe Transportit duhet të diskutojë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Së pari, problemi i trafikut, pasi projekti i ri, që përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht, trafiku, do të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë. Së dyti, problemi i ligjshmërisë, pasi sheshi ‘Skënderbej’ trajtohet si ansambël i trashëgimisë kulturore dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore ka paraqitur disa vërejtje serioze në lidhje me projektin e rindërtimit. Së treti, është ndërmarrja e një diskutimi të gjerë me qarqet e specializuara, katedrat e universiteteve, me qytetarë, analistë, në interesin më të mirë të planit dhe projektit”, - është shprehur Berisha, ndërsa ngriti shqetësimin e paqartësisë së vendndodhjes së monumentit të heroit kombëtar, Skënderbeut. Berisha tha se ndërtimi i sheshit kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis autoriteteve qendrore dhe vendore. Duke kërkuar që sheshi të mos përdoret për kapital politik, kryeministri u shpreh se shpresonte që Bashkia t’i përgjigjej kërkesës për bashkëpunim të qeverisë. “Sheshin duhet ta shndërrojmë në një gjë shumë të veçantë për qytetarët e Tiranës dhe t’u dëshmojmë atyre se për sheshin nuk kursejmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën”, - u shpreh Berisha.

22 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›