KE: Kriteret e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, ende të papërmbushura
Shqipëria dhe Bosnja nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të përfituar liberalizimin e vizave. Ky është vlerësimi që bën raporti i Komisionit Europian. Dokumenti, i cili u është shpërndarë vendeve anëtare pak ditë më parë, e klasifikon Shqipërinë pas Bosnjës. Sipas burimeve, raporti i KE-së thotë: “Shqipëria duket se i ka përmbushur masat e bllokut të parë të Udhërrëfyesit për vizat, njësoj është edhe Bosnja”, - vlerësojnë ekspertët për sigurinë e dokumenteve. Por vendi ynë mbetet pas Bosnjës, në bllokun e dytë, që ka të bëjë me emigracionin ilegal dhe riatdhesimin. “Duket se Shqipëria i ka plotësuar në përgjithësi kriteret e përcaktuara. Por, verifikimi i mëtejshëm është i nevojshëm përsa i takon zhvillimit të një strategjie dhe politike për mbështetjen e refugjatëve të riatdhesuar”, - thuhet në dokument. Në bllokun e tretë të Udhërrëfyesit, që ka të bëjë me sigurinë dhe rendin publik, Shqipëria dhe Bosnja barazohen në mosplotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara. “Shqipëria ka plotësuar shumicën e masave. Por, përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe implementimit efikas të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore. Në mënyrë të veçantë, zbatimi i një kuadri të ri ligjor për çështjen e konfiskimit të aseteve kriminale duhet të ndiqet më tej me vendosmëri”, - vlerëson KE-ja.
Në bllokun e katërt dhe të fundit, mbi të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me jashtë, për të dyja vendet thuhet se kanë plotësuar në përgjithësi kriteret e kërkuara. Pasi të shqyrtojnë vlerësimin e rifreskuar të KE-së, vendet anëtare pritet të shtojnë dhe vlerësimet e tyre. Me të gjitha këto informacione, Komisioni do të përgatitë rekomandimin në fund të majit, për ta publikuar në javën e parë të qershorit. Sipas burimeve, ky rekomandim pritet të jetë pozitiv, por i kushtëzuar, me dërgimin e misioneve shtesë të ekspertëve për kriteret e paplotësuara ende. Ky rekomandim do të shqyrtohet nga Parlamenti Europian përpara se t'i kalojë për vendim Këshillit të Ministrave të BE-së. Sipas të gjitha gjasave, mosplotësimi i të gjitha kushteve nga Shqipëria dhe Bosnja, ridërgimi i misioneve të ekspertëve, por dhe vetë procedurat e institucioneve të BE-së vonojnë heqjen e vizave, në rastin më të mirë, deri në fundin e vjeshtës apo fillimdimrin e këtij viti, me kusht që të dyja vendet deri atëherë t'i kenë plotësuar të gjitha kriteret teknike.
22 Prill 2010