Jak Ndokaj: “PDK-ja të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me PS-në”
Ish-deputeti i Partisë Demokristiane, Jak Ndokaj, ka deklaruar për gazetën “Albania” se Partia Demokristiane duhet të shohë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi politik dhe elektoral me Partinë Socialiste. Sipas tij, tani, pas kristalizimit të qartë të pozicioneve të partive politike, është e nevojshme që partitë opozitare, ku bën pjesë edhe Partia Demokristiane, të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi me partinë kryesore opozitare, që është Partia Socialiste. Ndokaj bën të ditur se Partia Demokristiane është një parti e qendrës, ku në bazë të programit të saj është aspekti social, mbështetja për personat në nevojë dhe veçanërisht mbështetja për ata persona që janë diskriminuar nga regjimi diktatorial. Ndokaj bën të ditur se Partia Demokristiane, duke qenë parti e qendrës, nuk është aspak problem që të bashkëpunojë me partitë e të gjithë spektrit politik, duke përfshirë dhe Partinë Socialiste. Ndokaj më tej nënvizon se në kuadrin e reformimit të politikës shqiptare, subjektet politike nuk kanë pse të vazhdojnë të qëndrojnë në llogoret e vjetra të politikës, në një kohë kur nuk ndajnë qëndrime dhe mendime të njëjta për çështje të caktuara. Ish-deputeti i PDK-së thekson se ka ardhur koha që në Shqipëri të vendoset standardi i kutive të hapura dhe se ai dhe PDK-ja mbështesin protestat e opozitës që të marrë fund njëherë e përgjithmonë vjedhja e zgjedhjeve nëpërmjet kutive të mbyllura. Për këtë qëllim, për një bashkëpunim sa më afatgjatë, Ndokaj kërkon nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Partinë Socialiste.
22 Prill 2010