E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i Aldo Bares, revoltohen dëshmitarët



TIRANË - Dëshmitarët e procesit gjyqësor në ngarkim të Aldo Bares janë revoltuar për shkak të moszhvillimit të seancës së radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Shkak për moszhvillimin e kësaj seance ka qenë mungesa e avokatit mbrojtës, Vladimir Meçe, i cili kishte paraqitur pranë kolegjit penal një raport për arsye shëndetësore. Dy dëshmitarët e thirrur në proces thanë se nuk kishin mundësi ekonomike për të udhëtuar sërish nga Lushnja javën e ardhshme drejt Tiranës për të dhënë dëshminë. Madje, njëri prej tyre, Alfred Gjyla, kërkoi të shoqërohet nga policia për në kryeqytet për të shmangur kështu pagesën e udhëtimit. Drejtuesja e seancës ka kërkuar që dëshmitarët të respektojnë detyrimin ligjor ndaj Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në ato pak çaste që dëshmitarët kanë qenë në sallën e gjyqit, i pandehuri Bare është përpjekur t'i sugjestionojë me batuta dhe gjeste. Për të pandehurin Aldo Bare u pezulluan afatet e paraburgimit. Ndërkohë ai vetë u kthye në qeli për të ardhur sërish më datë 28 prill, kur do të jetë edhe seanca e radhës. Dëshmitarët do të rrëfejnë për disa vrasje që janë kryer nga anëtarët e bandës së Bares. Alfred Gjyla është personi që ka qenë në makinë në momentin kur u vra shqiptaro–maqedonasi Xhevdet Demiri. a

22 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›