Arvizu: Të barabartë para ligjit, hiqni imunitetin për zyrtarët
Imuniteti që gëzojnë zyrtarët e shtetit shqiptar mbetet një ndër temat më të kritikueshme nga faktori ndërkombëtar. Në të njëjtën gjatësi vale me paraardhësin e tij në këtë detyrë John Withers, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, insistoi dje te nevoja e eliminimit të pengesave për hetimin e korrupsionit në rangjet e larta. I pranishëm në takimin mbi mbylljen e projektit “Sfida e Mijëvjeçarit”, që ka si qëllim luftën ndaj korrupsionit, Arvizu u shpreh se ky program ka qenë i suksesshëm, edhe pse ishte e vështirë vënia në zbatim e Task Forcës. Në vlerësimin e kryediplomatit amerikan çdo person duhet t’i nënshtrohet hetimit për korrupsion, qofshin këta edhe zyrtarë. “Dua të përmend konceptin e imunitetit, sepse asnjë diskutim për sistemin e drejtësisë në Shqipëri nuk është i plotë, pa përmendur imunitetin. Shumë vende europiane i japin role të caktuara imunitetit të kufizuar të zyrtarëve publikë, ndërsa Shqipëria qëndron e vetme në faktin që kufizon të gjitha veprimtaritë hetimore që mund të kryhen kundër gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë publikë”, theksoi Arvizu. Shumë nga ju, iu drejtua ambasadori të pranishmëve në takim, kanë shprehur shqetësimin se duhet të jetë e vështirë të ndodhë ky ndryshim, por ju, gjithashtu, jeni shprehur se kjo lloj pamundësie pengon hetimet në Shqipëri. Arvizu nënvizoi më tej se është i nevojshëm ndryshimi i ligjeve mbi imunitetin. “Ndërkohë që drejtuesit tuaj, qeveria, vazhdojnë përpara me gjendjen e tyre politike, unë ju inkurajoj që të ndryshojnë ligjet për imunitetin, në mënyrë që të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë”, insistoi Arvizu. E pranishme në këtë takim, kryeprokurorja Ina Rama deklaroi se sfida e luftës ndaj korrupsionit vazhdon ende dhe se përmbushja e objektivave të programit “Sfida e mijëvjeçarit” është vetëm fitimi i një beteje, ndërsa lufta me krimin dhe korrupsionin vazhdon. “Ky projekt pati si qëllim forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve. Ngritja e 6 njësive të përbashkëta hetimore, ka patur mbështetje. Objektivat e përcaktuara u përmbushën me sukses. Kemi tregues suksesi, që mund t'i tregojmë me rritjen e hetimit për çështjet e korrupsionit dhe me rritjen e gjykimit të rasteve të tilla, por sfida vazhdon. Kemi fituar beteja, por jo luftën. Duhet të kemi besim për të ardhmen”, tha kryeprokurorja. Sakaq, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se janë duke u hetuar raste të shumta të dyshuara për pastrim parash dhe të ardhura nga veprimtari korruptive. Shefi i Shërbimit Sekret Shqiptar, Bahri Shaqiri, ofroi bashkëpunim aktiv në kundërvënien ndaj krimit të organizuar. Zëvendësministri i Brendshëm, Pekaj, dhe kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, u deklaruan të angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.