E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet me snajper biznesmeni

 

Shkodër, Esat Valbona, 45-vjeç, është ekzekutuar me një plumb të vetëm teksa ishte duke luajtur me letra në lokal

Biznesmeni nga Tropoja ka ndjerë goditjen në zemër dhe është ngritur duke thënë "Më qëlluan"

SHKODËR- Ekzekutohet në mënyrë mafioze një biznesmen nga Shkodra. Esat Valbona është vrarë me një snajper nga një largësi e madhe teksa po luante me letra në një lokal. Biznesmeni pronar lokalesh por edhe i një pike të shitjes së materialeve të ndërtimit, ka mundur vetëm që të thotë "Më qëlluan" e më pas është shtrirë përdhe i mbuluar nga gjaku. As personat që ndodheshin pranë tij nuk kanë mundur që të dëgjojnë zhurmën e armës, për të cilën policia mendon se është me silenciator. Deri tani kjo vrasje është mbuluar nga një mister i madh pasi biznesmeni nuk dihet të ketë pasur ndonjë konflikt apo hasmëri që mund të ketë sjellë këtë krim.

***

Një vrasje tipike mafioze ka tronditur mbrëmjen e djeshme qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.30 në një lokal lojërash fati në të majtë të rrugës "Vasil Shanto"në drejtim të daljes nga qyteti për nga Ura e Bunës. Dëshmitarët okularë pohuan se biznesmeni 45- vjeçar Esat Valbona, ka qenë i ulur në një nga tryezat e lokalit bashkë me persona të tjerë. "Ata po luanin me letra dhe gjithçka ishte e qetë. Në një moment Esati ka vënë dorë në zemër dhe ka mundur që të thotë "Më plagosën". Ai u ngrit nga tavolina, eci disa hapa dhe u rrëzua në tokë mu tek shkallët e lokalit. Kur e ngritëm pamë që ishte bërë me gjak në pjesën e kraharorit",- tha dje një nga personat që ndodhej në lokal në momentin e krimit. Të gjithë njerëzit e tjerë të pranishëm në lokal janë habitur nga ajo që kanë parë pasi askush nuk ka dëgjuar zhurmën e armës. Miqtë e viktimës i kanë hapur rrobat dhe kanë parë plagën në zemër, e cila i kishte shkaktuar 45-vjeçarit vdekjen e menjëhershme.

Vetëm pak minuta më pas, në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia lokale, e cila ka nisur hetimet e para. Burimet e policisë pohuan se lokali ku ndodhi krimi është i pari në radhën e tre dyqane që janë të ndërtuar mes dy pallateve pesëkatëshe, ndërsa pas tyre ndodhet pallati ku banonte viktima. Hetuesit kanë marrë në pyetje të gjithë personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin e krimit por asnjë prej tyre nuk ka dëgjuar krismën e armës. Kjo ka bërë që hetuesit të ngrenë pistën e një vrasjeje të kryer nga një snajper me silenciator. "Esat Valbona është goditur me një plumb të vetëm në zemër dhe gëzhoja nuk është gjetur. Nga të dhënat e para dyshojmë se kemi të bëjmë me një vrasës tepër të përgatitur. Ai ka qëlluar nga një distancë relativisht e madhe duke shënjestruar zemrën e viktimës",- pohuan dje hetuesit e çështjes. Policia ka dërguar viktimën në morgun e qytetit ku do t'i nënshtrohet autopsisë ndërsa ekspertët janë përpjekur që të grumbullojnë prova në vendin e ngjarjes.

***

Sipas personave që kanë qenë duke lëvizur në atë moment pranë lokalit, në këtë aks rrugor mjaft të populluar është parë një veturë e bardhë që ka kaluar në atë çast por nuk dihet nëse është qëlluar prej saj. Policia ka hedhur fillimisht pistën e goditjes nga një snajper me silenciator por nuk ka asnjë pistë për shkakun e mundshëm të kësaj vrasjeje. Esat Valbona, është me origjinë nga Tropoja por familja e tij ka rreth 40 vjet që jeton në Shkodër. Ai është pronar i një bar restoranti rreth 600 metra larg vendit ku u vra, ndërsa merrej dhe me biznesin e tregtimit të materialeve të ndërtimit si tulla, çimento etj. Këtë biznes e kishte rreth 400m larg vendit të vrasjes në të majtë të kthesës për në rrugën "Alqi Kondi ". Të njohur të tij pohuan se ai është pronar edhe i disa lokaleve të tjera. Nuk dihet që Valbona të ketë pasur ndonjë konflikt apo hasmëri me persona të tjerë. Vrasja e tij është enigmatike si për policinë ashtu dhe për ato që e kanë njohur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›