Vrasja në Greqi, identifikohen dy viktimat
Të vrarët e dy netëve më parë janë Afrim Zeneli, objektivi i atentatit dhe Fluturim Lala, i cili ishte rastësisht aty
Vrasësit kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një makinë, e cila është larguar me shpejtësi
ATHINË- Policia greke ka mundur që të identifikojë dy shqiptarët e ekzekutuar me armë në një lokal të Athinës por jo motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Afrim Zeneli, 38 vjeç, dhe Fluturim Lala, 24-vjeç, janë emrat e dy personave të vrarë mesnatën e së mërkurës në kryeqytetin helen. Nga hetimet e para të policisë greke, objektivi i atentatit ka qenë 38-vjeçari Afrim Zeneli ndërsa Lala ka qenë një viktimë e rastësishme e kësaj ngjarjeje.
Burimet e policisë greke pohuan dje se ngjarja e ndodhur mesnatën e së mërkurës nuk ka ende një motiv të qartë. Nga dëshmitë e para të mbledhura në vendin e ngjarjes është mësuar se Afrim Zeneli, 38 vjeç, dhe Fluturim Lala, 24-vjeç, ndodheshin në pjesën e jashtme të një kafeneje në shoqërinë e një shtetasi rumun. Në një moment pranë tyre është afruar një makinë, e cila ka ulur shpejtësinë sapo është pozicionuar përballë lokalit. Nga dritarja e makinës është shfaqur një tytë automatiku dhe menjëherë është qëlluar një breshëri e gjatë plumbash. Dy shqiptarët dhe shtetasi rumun që ndodheshin në verandën e lokalit kanë marrë plumba të shumtë. Ata janë përpjekur që të ecin disa metra ashtu të plagosur siç ishin por më pas kanë rënë përdhe të vdekur. Hetuesit grekë shpjeguan se nga plumbat, automatiku dyshohet që të jetë kallashnikov. Pas vrasjes, makina është larguar me shpejtësi dhe askush nga dëshmitarët nuk ka mundur që të fiksojë targën e saj apo fytyrat e vrasësve. Hetimet e para të policisë tregojnë se objektivi i atentatit ishte 38-vjeçari Afrim Zeneli. Ndërkohë, 24 vjeçari nga Mirdita, Fluturim Lala, mësohet se ndodhej krejt rastësisht në lokalin ku ndodhi krimi. Ai kishte shkuar atje për të takuar punëdhënësin e tij dhe nuk kishte lidhje me ngjarjen. Po ashtu, edhe shtetasi rumun nuk kishte lidhje me ngjarjen. Hetuesit grekë kanë pohuar se ende nuk kanë mundur që të zbulojë identitetin e autorëve të krimit apo motivin e vrasjes. Versioni i parë i policisë është se vrasja është kryer për larje hesapesh mes bandash por kjo nuk është saktësuar ende.