E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: “Presionin e kanë kundërshtarët tanë”



Sulmuesi Hamdi Salihi, autor i 14 golave me skuadrën e tij në SV Ried në Austri, pohoi se forca e Portugalisë njihet nga të gjithë, dhe nuk ka nevojë të komentohet gjatë. “Aq më tepër që këtë radhë u duhet patjetër fitorja, - shtoi shkodrani. “Është e vetmja rrugë që i çon drejt kualifikimit për në Botëror. Ky presion që ekziston në kampin portugez na favorizon. Mungesa e golave të kombëtares është një pikë ku mund të diskutohet gjatë. Te Riedi kam kaluar formë të mirë, kam shënuar rregullisht dhe dëshiroj që këtë ta bëj edhe me kombëtaren”, - theksoi Salihi, autor i vetëm një goli me Kombëtaren në një miqësore kundër Maltës. “Trajneri Kuzhe po përqendrohet shumë në krijimin e frymës së grupit. Këtë po e bën në mënyrë teorike dhe në fushë. Kuzhe po kërkon t’ua ngulitë në kokë të gjithë futbollistëve mënyrën se si ndërtohet një grup i fortë. Duhet vlerësuar puna e të gjithë trajnerëve të kombëtares. Bariçi, me të cilin kemi arritur rezultate shumë të mirë, duhet vlerësuar në maksimum. Ari Hani ka qenë për një kohë të shkurtër, u largua për rezultate të dobëta, por ne nuk duhet ta përbaltim punën e tij. Kuzhen do ta vlerësojmë pas disa ndeshjeve. Shturmi? Më është bërë ofertë konkrete nga Shturmi, por edhe nga skuadra të tjera. Deri në gusht mund të ndodhë gjithçka”, - përfundoi një nga katër sulmuesit që ka në dispozicion Kuzhe, së bashku edhe me Bogdanin, Kapllanin e Berishën.

Lorik Cana drejt Totenhemit?

Mediat franceze raportuan të hënën se Lorik Cana nuk bënte pjesë në planet e trajnerit të ri të Marsejës, Didier Deshamps, por mesa duket kjo ka qenë një pjesë funksionale e lajmeve të merkatos. Vetëm një ditë më pas, sot, tabloidët anglezë shkruanin se trajneri i Totenhemit, Heri Redknap, është shumë i interesuar për shërbimet e mesfushorit të Kombëtares shqiptare e kapitenin e Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, i vlerësuar përtej La Manshit në vlerën e 6 milion eurove. Lorik Cana prej katër vjetësh mban veshur ngjyrat e Olimpikut të Marsejës e ka një kontratë që i skadon në vitin 2012, por duket se koha e tij në “Veldrome” ka mbaruar. Kjo dhe për shkak të mungesës së një trofeu. “Unë nuk jam i shtrënguar të largohem, por në një klub të huaj e të mirë, përse të mos shkoj?”, - citohet Cana nga “France Football”.
Një lojtar tjetër për të cilin interesohet Totenhemi është sulmuesi Xhibril Sise. Lorik Cana ndodhet aktualisht në Durrës, i grumbulluar me Kombëtaren për sfidën kundër Portugalisë, më 6 qershor e katër ditë më pas për miqësoren kundër Gjeorgjisë. Për Lorik Canën kanë shprehur vazhdimisht interesimin edhe Arsenali, Liverpuli, Bajerni, ndërkohë që vetë 26-vjeçari ka pohuar shpesh se është në prag të largimit nga Marseja.

Hyka e Skela, bashkë te Mainc 05?

Dy fantazistë shqiptarë në të njëjtin ekip?. Kjo mund të ndodhë te Mainc 05, skuadra gjermane e porsangjitur në Bundesligën 1. Ndërsa mesfushori i talentuar, 20-vjeçari Jahmir Jyka është prej një viti pjesë e Maincit, fantazisti me përvojë të madhe ndërkombëtare, 32-vjeçari Ervin Skela, mund të bashkohet me të. Lajmet vijnë nga media gjermane, ku sipas tyre, në bllokun e shënimeve të menaxherit Kristian Hajdel, qëndron edhe emri i lojtarit aktual të Energi Kotbusit, por i lirë prej kësaj të fundit për shkak të klauzolave në kontratë. Gjithsesi, Heidel citohet nga gazeta rajonale “Ëiesbadener-Kurier”, se ende nuk ka një kontakt formal me Ervin Skelën. Nëse Skela e Hyka do të luanin bashkë, padyshim që Jahmiri do të përfitonte shumë nga një “brazilian” si Ervini.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›