Curri: “Portugalia e pësoi një herë nga ne”
Dash Frashëri
Debatik Curri mbërriti në kampingun e Kombëtares pas fitimit të Kupës së Ukrainës, një trofe të rëndësishëm me skuadrën e tij në Ukrainë, Vorska Poltava, por dhe me “biletën në xhep” për një vend në Ligën e Europës. Mbrojtësi kosovar, një nga pesë përfaqësuesit e gjysmës natyrale të Shqipërisë Etnike, gjatë konferencës për shtyp në rezidencën e kuqezinjve në Durrës, iu bashkua korit të optimistëve në prag të ndeshjes kundër Portugalisë, më 6 qershor, pavarësisht shkallës së vështirësisë kundrejt një Kristiano Ronaldoje me shokë, të uritur për fitore në Tiranë.
“Është një ndeshje shumë e vështirë për ne, por do të luajmë përballë publikut tonë dhe besoj që do të marrim rezultat pozitiv. Kemi barazuar 0-0 në Bragë, çka na bën të ndihemi më të motivuar për ndeshjen e së shtunës në “Qemal Stafa”. Në Bragë për shkak të inferioritetit numerik u detyruam të luanin vetëm në mbrojtje, pasi e dinim që s’kishim mundësi për të bërë më shumë. Kishim një futbollist më pak në fushë dhe u përqendruam totalisht në mbrojtje. Besoj që në fushën tonë mund të bëjmë edhe më shumë, pra jo vetëm duke u mbrojtur. Megjithatë nuk mund të dalim shumë jashtë lojës që kemi zhvilluar në Bragë, pasi Portugalia është një kundërshtar shumë i fortë, që nuk të jep shumë mundësi të shikosh nga sulmi”, - tha Debatiku, i cili ka mbetur në statistikat shqiptare, si i pari lojtar dhe i vetmi, që i ka shënuar deri tani gol Holandës, pikërisht në eliminatoret e Euro 2008, në kohën kur përfaqësuesen e drejtonte një kroat tjetër, Oto Bariçi.
Curri dha edhe një mendim të shpejtë për trajnerin e ri, Josip Kuzhe dhe për metodologjinë e tij në stërvitjet e deritanishme. “Është hera e parë që takohem me trajnerin Kuzhe. Takimi i sotëm më shumë ka qenë një lloj përgatitjeje teorike për mënyrën e lojës që do të zhvillojmë me Portugalinë. Duke pasur parasysh emrin e kundërshtarit, kërkohet një mënyrë e veçantë loje sulmuese dhe mbrojtëse. Ai (Kuzhe) duke një trajner shumë i përgatitur. Vjen nga shkolla kraote, shumë e dëgjuar në fushën e futbollit, në Ballkan dhe në Europë. Me ndihmën e tij, por mbi të gjithë me impenjimin tonë maksimal, mendoj se do të arrijmë diçka me kombëtaren. Ndryshimi me paraardhësit? Puna e trajnerëve të Kombëtares dallohet te rezultatet. Secili ka mënyrën e vet të punës, por vlerësohet më shumë ajo mënyrë që sjell edhe rezultatet pozitive. Kupa në Ukrainë? Ishte një sukses i madh për Vorsklën, sepse ka fituar një trofe kaq të rëndësishëm si kupa e Ukrainës pas 40 vjetësh, kurse unë kam katër vjet që luaj me këtë skuadër dhe deri para dy ditësh nuk kisha fituar asnjë trofe. Vorskla do të luajë sezonin që vjen në Ligën Europiane, tani jemi në pritje për të njohur skuadrën kundërshtare”, - përfundoi Curri, i cili edhe kundër Portugalisë, pritet të luajë në qendër të mbrojtjes.
Fiton 13-0
Duket se skemat e Josip Kuzhez kanë filluar të funksionojnë. Kombëtarja e madhe fitoi 13-0 testin e kontrollit kundër përfaqësueses U-17. Takimi u zhvillua në “Niko Dovana” të Durrësit. A do të shënojë kundër Portugalisë, kjo mbetet për t’u parë, më 6 qershor, por Kuzhe pranoi pas takimit se kishte marrë sinjale të mira.
3 Qershor 2009