E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i ri i ministrit, rekrutët me forcë në shërbim deri në 2010

 

TIRANE - Nis mobilizimi me forcë i ushtarëve. Prej dy ditësh Qendrat e Rekrutim-Mobilizimit nëpër qarqe kanë nisur grumbullimin forcërisht të ushtarëve, ndërsa në ndihmë të tyre janë vënë edhe efektivë të Policisë së Rendit. Vetëm pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese pranoi me një vendim të saj se shoqërimi me forcë i të rinjve për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak binte ndesh me të drejtat e njeriut dhe si i tillë shpallej si një vendim antikushtetues. Por ndryshe nga kjo, ministri i Brendshëm vetëm pak ditë më parë ka nxjerrë një urdhër me të cilin urdhëron të gjitha drejtoritë e policive nëpër rrethe që të bashkërendojnë punët së bashku me Qendrat e Mobilizimit për rekrutimin e të rinjve dhe dërgimin e tyre nëpër Qendrën e Stërvitjes Bazë në Bunavi të Vlorës. Arsye për nxjerrjen e urdhrit të ministrit, pak ditë më parë dhe që mban numrin 321, është fakti se reparti i Gardës së Republikës, i cili ka varësi nga Ministria e Brendshme ka paraqitur kërkesën për ushtarë, pasi një pjesë e efektivëve aktualë kanë plotësuar kohën e duhur dhe duhet të lirohen. Ndërkohë, qendrat e mobilizimeve nëpër qarqe kanë informuar se vetëm një numër shumë i vogël, madje i papërfillshëm në raport me kërkesat e reparteve ushtarake, janë paraqitur vullnetarisht. Kjo ka bërë që qendrat e rekrutim mobilizimit t’i drejtoheshin policisë, pasi është konstatuar se një pjesë e mirë e fletëthirrjeve për mobilizim vullnetar që u janë dërguar të rinjve janë refuzuar nga ata apo familjarët e tyre. Por sipas burimeve nga institucionet e mobilizimit nuk kanë munguar as justifikimet se fletëthirrjet nuk kanë shkuar nëpër destinacione, duke tentuar në këtë mënyrë shmangien e rekrutimit, deri në fillim të vitit tjetër kur është vendosur të hiqet shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Të paktën edhe urdhri i ministrit të Brendshëm e ka efektin deri në janar të vitit 2010, pas të cilit, në repartet tona ushtarake do të ketë vetëm ushtarë me pagesë. Ky urdhër i jep kompetencë efektivëve të policisë së rendit për të dërguar forcërisht nëpër qendrat e mobilizimit të gjithë të rinjtë që kanë kaluar 18 vitet, deri në moshën 27-vjeçare. Shpeshherë ka ndodhur që policët të kenë shoqëruar edhe persona jashtë limiteve të kësaj moshe, si dhe studentë, apo të rinj që e kishin kryer shërbimin ushtarak.                 f.m

Kushtetuesja
Gjykata Kushtetuese me një vendim të tre javëve më parë pranoi si antikushtetues dhe që bie ndesh me të drejtat e njeriut, ligjin për mobilizimin dhe rekrutimin forcërisht të të rinjve shqiptarë. Po kështu edhe Avokati i Popullit pak ditë më parë më anë të një rekomandimi pohoi se të rinjtë jo vetëm që dërgoheshin forcërisht nëpër reparte, por edhe aty nuk zbatoheshin të drejtat që kishin të bënin me shëndetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›