Hasan Nallbani: “Nuk pikturoj për të zbukuruar muret”
Petrika GROSI
Kohët e fundit piktori Hasan Nallbani, i vlerësuar ndër artistët më të mirë shqiptarë, të cilët kanë krijuar në dy sisteme duke bërë dallimin, si në diktaturë ashtu edhe në demokraci, ka pranuar që të japë një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania”, ku artisti flet mbi punët e tij, frymëzimin, tematikat e zgjedhura, tregun e varfër të pikturës në vendin tonë dhe mjaft detaje të tjera që mund t’i lexoni në intervistën e sotme.
Duke pasur parasysh ciklin tuaj të mëparshëm të eksodeve dhe tashmë, plagët sociale që shfaqen përmes femrës dhe fëmijëve në tablotë tuaja, çfarë mund të thotë vet piktori Hasan Nallbani, si krijues i këtyre punëve?
Po t’i shohësh me vëmendje punët e ciklit të parë, duket se ato janë pararendëse të diçkaje tjetër që pritet të vijë. Artisti ruan përgjithësisht koherencën, karakterin, individualitetin e tij dhe ndjek jetën, historinë, ato aspekte që janë më mbresëlënëse për kohën, mjedisin dhe historinë, ku bën pjesë vet ai. Punoj me cikle pasi kështu, të gjitha punët të mara sëbashku e përcjellin më mirë mesazhin, artin dhe filozofinë time te publiku. Në këtë mënyrë piktori është më i thellë dhe më i perceptueshëm për publikun.
A mendoni për shitjen e këtyre veprave, pasi të ndara, siç thatë dhe vet u humb një pjesë e mirë plotësuese?
Nuk mund të bëj atë që do publiku pasi nuk mund të përulem para shijeve të rëndomta që zakonisht shikoj në treg. Për këtë arsye bëj pikturën që dua të bëj dhe kërkoj që blerësi të vijë te mua dhe jo anasjelltas. Artisti duhet ta emancipojë blerësin dhe jo të ulet te shija e tij. Në këtë mënyrë edhe kush e blen veprën, pëson një lloj emancipimi gradual. Kështu ka ndodhur me shumë artistë të tjerë, të cilët shijet e pikturës së tyre nuk i kanë kushtëzuar me kërkesën e publikut. Kjo është edhe arsyeja që shumë piktorë të mirë nuk e kanë pasur suksesin e merituar gjatë kohës kur kanë jetuar. Megjithatë, një njeri që e do pikturën dhe artin, është një koleksionist dhe jo një njeri që kërkon një pikturë për ta varur në mur. Duke u nisur nga kjo, blerësi nuk shikon se çfarë i shkon më mirë me murin sepse vepra e artit nuk është orendi, kolltuk apo dollap. Koleksionisti i mirë kërkon punët më përfaqësuese të çdo autori.
E pra, si mendoni, kur do të vijë ajo kohë që shqiptarët të mos blejnë imitimet e shëmtuara në treg për të zbukuruar muret e shtëpive të tyre por të drejtohen kah artit të vërtetë?
Është njëçikë e vështirë. Ky proces kërkon jashtëzakonisht kohë, edukim dhe formim kulturor. Shkollat tona shumë pak informojnë mbi artin. Një student që është në universitet nuk di asgjë, ose ka informacion fare të përciptë sa i takon artit dhe kulturës. Po kështu, nuk njihen filozofia e artit e zhvillimet e tij dhe e gjitha kjo bën që arti të mos shihet siç duhet në kohë, pasi mungon formimi i duhur për të mbërritur në këtë perceptim.
Plagët, krizat e shoqërisë shfaqen përmes gruas dhe fëmijëve në ciklin tuaj më të ri. Pse kjo zgjidhje?
Është mënyrë të shprehuri, jo me gërma e fjalë por me formë, vizatime, ngjyra etj. Artisti ka për mision të reflektojë të vërtetat e përjetuara nga ai, në raport me biografinë e tij, njerëzit, jetën, një realitet të caktuar. Vetëm në këtë rast ai është i vërtetë dhe arrin të përcjellë emocione të vërteta, përndryshe, ai është jashtë një konteksti domethënës. Arti ka mision emancipues dhe jo thjesht të dhurojë një kënaqësi.
Në pikturën tuaj nuk para shohim frymëzime nga mitologjia, mistikja... Si e shpjegoni?
Secili ka tipin e tij, por po të shohësh ekspozitën e mëparshme të eksodit, ajo duket si një Apokalips biblik. Vet Bibla, trajton histori që ne i jetojmë përditë. Them se realiteti që prekim është aq i mbarsur me të vërteta e motive për t’u pasqyruar në art, sa nuk kemi pse ta kthejm kokën shumë larg në kohë. Problemet, historia jonë, vështirësitë, gjithë problematika komplekse e ditëve tona është e bollshme për të inspiruar një artist në punën krijuese. Pastaj çështjet e frymëzimit, dhe pikat se ku e kërkon një artist vetveten janë individuale. Mendoj se unë jam në një kontakt urban.
Zgjidhni t’i largoheni imazhit veristik të njerëzve. Përveç prirjes për të qenë më universal në këtë mënyrë, çfarë tjetër ndikon në këtë zgjedhje?
Arti nuk është pasqyrim por perceptim i realitetit nëpërmjet formës, stilit dhe gjuhës së artistit. Perceptimi ka rëndësi të jetë veristik jo forma. Kështu ka qenë gjithmonë. Piktorët e mëdhenj e kanë prezantuar natyrën nëpërmjet një aspekti perceptues dhe jo direkt.
Po më thonit se synoni të bëheni më tepër verist në të ardhmen?
E kisha më tepër te kthimi në kohë. Secili nga artistët shqiptarë, pas viteve ’90 ka dashur të provojë gjërat e ndaluara dhe u hodhëm kështu drejt artit abstrakt. Ishte uria e madhe, njësoj siç ndodhi me eksodin dhe njerëzit që shkuan jashtë për të gjetur përtej kufijve “parajsën” që ëndërronin. Dua të punoj më shumë dhe ta thejlloj kërkimin ndërmjet dy planeve ku qëndron piktura ime siç janë pasqyrimi veristik dhe ai interpretativ.
Së fundi, të krijosh në dy kohë; në diktaturë dhe në demokraci. Çfarë do të thoshit dhe, a ju ka mbetur peng që nuk pikturuat i lirë në rininë tuaj?
Sigurisht, madje ju them se i kishim zili piktorët kosovarë që ishin shumë më të lirë nga ne. Ata ishin një zbulim pasi këtu kuadri i konvecioneve, stilit, pikturës ishte shumë i koduar. Në këtë kuptim, kam pasur dëshirë ta bëja pikturën time më të fuqishme, më ekspresive dhe më pak të kondicionuar nga marrëdhëniet me politikën. Megjithatë, duhet kuptuar se jo në mënyrë gjithëpërfshirëse, politika zotëronte jetën dhe krijimtarinë e artistëve. Dikush që ishte në marrëdhënie zyrtare me sistemin e transmetonte me më zell karakterin politik të kohës, ndërkohë që dikush tjetër i pa indoktrinuar në atë masë kërkonte të gjente hapësira të mundshme që ekzistonin edhe në atë kohë pavarësisht se i gjithë arti ishte i politizuar. E ndjenim këtë gjë, kudo ku shkonim nëpër bienale ndërkombëtare dhe na vinte keq. Realiteti fals dhe pasqyrimi i tij ishte i detyruar për ne, madje edhe kur nuk kishte censurë, vepronte autocensura.
Po burri, a do të jetë ndonjëherë në qendër të tablove tuaja, apo bota është e gruas?
Në fakt gruaja i ka vuajtur më shumë të gjitha në çdo kohë, edhe eksodet edhe diktaturën dhe demokracinë, edhe punët e rënda para viteve ‘90, pasi ka punuar shumë më tepër se burri dhe ka mbajtur veç të tjerash ekonominë e shtëpisë, fëmijët etj.
VLERËSIMI
Dritëro Agolli: “Nallbani, ky piktor i çuditshëm”
Ja si do të shprehej Dritëro Agolli për piktorin Hasan Nallbani para disa vitesh: “Ky artist me një origjinalitet të veçantë vetiak dhe me identitet të dallueshëm kombëtar, gjithmonë na ka mahnitur me ekspozitat e tij në këtë dhjetëvjeçar, por nuk na ka lënë pa çuditur me veprën e vet të mëparshme, mbi 40-vjeçare,ku mbinë ato fara që sot janë bërë pemë. Nga tabloja në tablo të rrëmben vala dhe të zhyt në botën e dramaticitetit të kohës dhe të konceptit filozofik e estetik të perceptimit të jetës, ashtu siç të nxisin veprat e mëdha të kësaj natyre, fjala vjen ‘Guernika’ e Pikasos. Ai e rikrijon botën që ne e kemi parë dhe e shohim, i rikrijon tragjeditë njerëzore të vendit të vet të rraskapitur, si eksodet dhe arratisjet drejt tokës së premtuar, i rikrijon me dhimbje dhe ironi. Ironia e padukshme: ‘Flisni, flisni për lumturinë! Bëni, bëni nudo me një karafil në kërthizë. Imitoni, imitoni gjenitë!’ Në pikturën e Nallbanit ke përballë një Apokalips që sipas Biblës është fundi i botës, kurse në të vërtetës është një Apokalips i fillimit të botës, një tragjedi ku sidoqoftë, ndihet jeta që vjen.”
3 Qershor 2009