Ekzekutohet në disko emigranti, autori e përqafoi para se ta qëllonte
Edmond Shtjefni, emigranti 32-vjeçar është vrarë në një disko të Italisë me një plumb në kokë. Policia dyshon se autori ishte shqiptar dhe se krimi ka si motiv larjen e hesapeve
Itali Ekzekutohet pas një përqafimi në një disko të Italisë një 32-vjeçar shqiptar, i skeduar për grabitje. Krimi ndodhi mbrëmjen e së shtunës duke u gdhirë e diel, kohë kur Edmond Shtjefni ndodhej në një diskotekë në Pavia të Italisë. I riu, emigrant prej vitesh në Itali, u vra befasisht nga një person, i cili në mes të diskos iu afrua fillimisht për ta përqafuar duke i rrahur shpatullat. Mediat italiane shkruajnë se fill pas këtij veprimi, autori i krimit ka nxjerrë një pistoletë dhe ia ka vënë në kokë 32-vjeçarit Shtjefni, duke e shkrehur atë. Në plumb i vetëm ka shembur përtokë emigrantin shqiptar, i cili jetonte prej vitesh në Itali. Ngjarja ka shkaktuar panik në diskotekën e mbushur me të paktën 500 persona, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj vrasjeje. Sipas mediave italiane, përqafimi duket se ishte vetëm një plan i përllogaritur nga vrasësi për të mos u diktuar nga të tjerët. Edmond Shtjefni, një emigrant shqiptar i moshës 32- vjeçare, i cili sipas policisë italiane rezultonte me precedentë penalë në fushën e vjedhjeve, mbeti i vdekur menjëherë në mes të lokalit. Pista paraprake është ajo e larjes së hesapeve mes shqiptarësh, por ende nuk ka autor të identifikuar. Hetuesit italianë kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë okularë për të mbledhur më shumë të dhëna mbi pamjen e vrasësit, i cili dyshohet se është gjithashtu shqiptar. Por duket se vrasësi ka marrë masat për të mos u diktuar, pasi ishte parë të hynte në diskotekë me një kapuç në kokë dhe është larguar me shpejtësi që aty sapo është siguruar për eliminimin e Shtjefnit. Madje, dëshmitarë dhe të rinjtë që ndodheshin në diskotekë e kanë kuptuar atë që ka ndodhur vetëm pasi 32-vjeçari shqiptar ka rënë përtokë, pasi deri në momentin e të shtënave çdo gjë dukej krejt normale mes dy të rinjve. Hetuesit italianë kanë sekuestruar ndërkohë të gjitha pamjet filmike të regjistruara nga sistemi i vrojtimit të diskotekës, ndërsa shpresat për identifikimin e autorit janë fokusuar sidomos te pamjet filmike të parkingut të diskotekës, për të parë automjetin që ka lëvizur fill pasi është kryer vrasja. Hetuesit italianë thanë dje se Shtjefni ka pasur dy precedentë penalë në Itali përpara dy vitesh, që të dyja të lidhura me vjedhjet. Megjithatë, hetimet janë fokusuar në aktivitetin e tij në Itali, ku përveç vjedhjeve po hetohen edhe dyshime të tjera që mund të kenë sjellë konfliktin vdekjeprurës. Mediat italiane thonë se hetuesit kanë gjetur dy telefona të viktimës në vendngjarje dhe kanë nisur menjëherë verifikimin e tabulateve telefonike. Gjithashtu janë thirrur për të dëshmuar edhe dy shokë të dhomës së 32-vjeçarit, për të mësuar më shumë mbi të kaluarën e tij. Mediat italiane shkruanin dje se viktima dyshohej nga policia si person i lidhur dhe me njohje në rrethet e shqiptarëve të skeduar si trafikantë droge. Megjithatë, vrasja gjakftohtë dhe publike e 32-vjeçarit Shtjefni ende nuk ka një motiv të qartësuar dhe zyrtar nga autoritetet italiane të hetimit. Përg:Habjon Hasani