E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafik me makinat e vjedhura në Kosovë, dy në pranga

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të cilët drejtonin një rrjet të vjedhjes së makinave në kryeqytet, për t’i shitur më pas në Kosovë. Makinat maskoheshin në një parking në periferi

Tiranë Zbulohen dhe bien në prangat e policisë dy prej anëtarëve të një grupi kriminal në kryeqytet, që kishin kryer 18 vjedhje makinash. Pas një hetimi tremujor, uniformat blu të Komisariatit nr. 2 në Tiranë finalizuan me sukses operacionin e koduar “Parku”, duke dokumentuar 18 vjedhje automjetesh në Tiranë, të kryera përgjatë vitit 2011 deri në janar të këtij viti. Gjatë aksionit u arrestuan 35-vjeçari Zejnel Meçe, lindur dhe banues në Kukës, i dënuar më parë për vjedhje automjetesh dhe shtetasi kosovar nga Suhareka, 19-vjeçari Gëzim Buqa. Nga hetimet rezultoi se Zejnel Meçe dhe Gëzim Buqa kanë kryer këto vjedhje përgjatë tërë vitit nga janari i vitit 2011 deri në janar të vitit 2012. Gjatë hetimeve, policia zbuloi se dy të arrestuarit kishin krijuar një “parking”, ku vendosnin të gjitha automjetet që vidheshin dhe pasi automjeteve u bëheshin modifikimet e duhura në targa dhe dokumentacion, ato niseshin drejt Kosovës. Burime policore i thanë dje MAPO-s se automjetet e preferuara ishin ato të markës “Volksvagen Golf”, të cilat janë të shumëpreferuara në Kosovë. Nga ana tjetër, policia ka edhe të tjerë persona të dyshuar si të implikuar në këtë linjë trafiku. Burime policore thanë dje se dy të arrestuarit dyshohet se janë organizatorët dhe përfituesit më të mëdhenj të skemës, por operatorët në terren të vjedhjes së automjeteve dyshohet se janë minorenë nga kryeqyteti shqiptar. Policia dyshon se dy të arrestuarit pasi krijonin lidhje me hajdutët në Tiranë, ua blinin automjetet me çmim të lirë dhe më pas i dërgonin në parkingun e tyre në periferi të Tiranës, ku edhe i maskonin ato. Pikërisht në këtë park policia gjeti disa prej automjeteve që ishin denoncuar si të vjedhura. I arrestuari Zejnel Meçe dyshohet se kishte krijuar infrastrukturën për parkimin dhe mbajtjen e automjeteve, ndërsa 19- vjeçari kosovar Buqa realizonte kalimin e automjeteve në drejtim të Kosovës. Policia sekuestroi disa automjete tip “Volksvagen”, aksesorë të automjeteve të vjedhura, disa çelësa, pinca dhe doreza që shërbenin për hapjen e automjeteve. E ndërsa Zejnel Meçe dhe Gëzim Buqa u arrestuan nën akuzën e “vjedhjes së kryer në bashkëpunim”, policia e Tiranës po punon për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, të kryera nga dy të arrestuarit në kryeqytet dhe në rrethe të tjera të vendit. Për këtë arsye, policia e Tiranës ka nisur rakordimin me doganat dhe policinë e Kosovës për të zbuluar më shumë rreth aktivitetit të të dyshuarve. H.Hasani

Makinat e vjedhura

2 Shkurt 2011, është vjedhur automjeti ‘Golf-2’ në Kamëz

19 Mars 2011, në rrugën “N. Frashëri” është vjedhur makina ‘Golf-2’, me targa TR 8179 M

30 Prill 2011, në rrugën e Durrësit kanë vjedhur automjetin tip ‘Golf-2’, me targa TR 0802 J

21 Shtator 2011, në rrugën e Durrësit kanë vjedhur automjet tip ‘Golf-2’, me targa TR 1277 B

12 Tetor 2011, në rrugën “Don Bosko” kanë vjedhur automjet tip ‘Seat-Ibiza’, me targa TR 3534 L

28 Nëntor 2011, në rrugën e Kavajës kanë vjedhur automjetin tip ‘Golf-2’, me targa TR 9061 P

2 Tetor 2011, në rrugën “Frederik Shiroka” kanë vjedhur makinën “Benz” me targa TR 8272 T

29 Dhjetor 2011, në rrugën e Kavajës” kanë vjedhur tip ‘Golf-2’ , me targa TR 5837 J

5 Janar 2012, në rrugën “Qazim Vathi” kanë vjedhur automjetin ‘Golf-2’ , me targa TR 6204 D

7 Janar 2012, në rrugën “Babë Rexha” kanë tentuar të vjedhin automjetin tip ‘Golf-2’

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›