E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet në makinën e tij emigranti

Nikolin Sanellari është gjetur i vrarë me një plumb në kokë në Mborje të Korçës KORÇË- Një 30-vjeçar, emigrant sezonal në Greqi gjendet i ekzekutuar në makinën e tij me një plumb në kokë. Nikolin Sanellari, 30-vjeç nga Korça u gjet dje në orën 18.00 brenda në makinën e tij, pranë fshatit Mborje, rreth 2 kilometra larg qytetit. Burime zyrtare nga policia e Korçës bëjnë me dije se kur kanë mbërritur në vendngjarje, makina ka qenë ende me drita të ndezura, ndërsa nuk janë konstatuar shenja thyerje në dyert e saj. Kjo ka sjellë dyshimet se autori i këtij krimi ka udhëtuar në të njëjtën makinë me Sanellarin nga Korça deri në Mborje, e më pas e ka ekzekutuar për motive ende të panjohura. Trupi i pajetë i Sanellarit është dërguar pasditen e djeshme në morgun e qytetit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje të afërm dhe të njohur të tij, për të sqaruar ndonjë motiv apo për të përcaktuar pistat hetimore. Nga dëshmitë e para është mësuar se Nikolin Sanellari punonte si emigrant sezonal në Greqi, ku shkonte dhe kthehej vazhdimisht. Ai ka qenë dy herë i fejuar, por ky fakt nuk mendohet të ketë lidhje me ngjarjen. Policia nuk ka ende dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të tij me ndonjë person, ndërsa ka kryer me kujdes ekspertizën e makinës së 30-vjeçarit, për të fiksuar në të ndonjë gjurmë të autorit të krimit. Mendohet se ai ka udhëtuar me viktimën deri në Mborje, e më pas e ka vrarë me një plumb në kokë. Hetimet e mëtejshme pritet të zbardhin motivet e vdekjes së 30-vjeçarit Sanellari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›