E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretet e kalendarëve artistikë

Institucinet kulturore hartojnë kalendarët për vitin 2008. Fundi i javës që vjen shënon ngjarjet e para artistike Institucioneve kulturore iu del pak më vonë se të tjerëve “pija” e festave të fundvitit. Edhe pse 2008-a është ulur këmbëkryq prej gati dy javësh dhe njerëzit u janë kthyer punëve të përditshme, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, qendrat kulturore i kanë ende dyert e mbyllura. Duhet të presim edhe disa ditë të tjera deri sa të mund të shohim një ngjarje kulturore. Kështu, dyert e Teatrit Kombëtar do të hapen në fund të javës që vjen me dramën “Pamje nga ura” me regji të Albert Mingës, ku interpreton aktori Timo Flloko. Drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, thotë se me gjithë shikueshmërinë rekord që ka pasur kjo dramë, ka ende kërkesa të shumta. Më tej kalendari do të vazhdojë me dramën “Këmbanat e muzgut”, me regji të Alfred Bualiotit dhe Anton Qesarit, për të hyrë në territorin e premierave. Do të jetë “Franku V” me regji të Arben Kumbaros, që do të ngrejë siparin e vënieve të reja. Më tej pritet ende të vendoset. Janë në garë për të hyrë në kalendarin e premierave dramat fituese të Festivalit të dramës shqipe, ndërsa priten të vijnë në Tiranë dy regjisorë të huaj që do të ngjisin në skenë një Antikitet dhe Shekspirin. Kalendari i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit hapet në 18 janar me një koncert “Gala”. Është fillimi i një serie prej 8 koncertesh, të titulluara “Koncertet e dimrit”, në bashkëpunim me Ansamblin Popullor, me pjesëmarrjen e solistëve të orkestrës së TKOB dhe Trupës së Baletit. Sipas zyrës së shtypit të TKOB, këto koncerte do të zhvillohen gjatë muajve janar dhe shkurt, duke i paraprirë kështu vënies në skenë të veprave të mëdha, kombëtare dhe të huaja, premiera dhe repertor. Flitet për një vit “ambicioz”, që përkon me 55 -vjetorin e krijimit të TKOB si dhe me vitin e Pucinit. Në programin e mbrëmjes së 18 janarit parashikohen të interpretohen pjesë nga operat “Makbeth ”, “Traviata”, “La Boheme”, “Aida”, si dhe pjesë koreografike të zgjedhura. Në galerinë Kombëtare të Arteve ngjarje të reja do të shohim në muajin shkurt. Në 14 janar ndahen çmimet e Konkursit Ndërkombëtar “Onufri”, ndërkohë që ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 janar. Kalendari mësohet të hapet me një ngjarje të rëndësishme, e cila vjen për herë të dytë në Tiranë, "World Press Photo". Fotografitë më të mira të realizuara nga fotografë e agjenci fotografike, që kanë mbushur gazetat e huaja gjatë vitit 2006, do të ekspozohen në ambientet e GKA-së. Kalendari i këtij institucioni ende nuk është shpallur zyrtarisht, edhe pse tashmë është vendosur nga këshilli artistik i Galerisë. Mësohet se këtë vit (në shtator) rikthehet konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë, “Marubi”, i cili nuk u zhvillua gjatë vitit 2007. Do të vijojnë aktivitetet e përhershme si "Onufri 2008", "Pranverë(08) në muajin prill, "Nëntori 2008". Ndërsa gjatë vitit do të ketë ngjarje në bashkëpunim me artistë të huaj e shqiptarë, si ekspozita Gjermane e “Westfalise” në muajin mars, "Nothing to lose", Ekspozita me artistë bashkëkohorë të Europës Juglindore, në muajin maj. Në muajin qershor vjen në Tiranë një grup artistësh izraelitë. Do të ketë ekspozita me artistë të huaj si Christian Tanhauze, Ritva Luukkannen, Wim Couvers. Ekspozita retrospektive me veprat e Ibrahim Kodrës, Jakup Kerraj e Sadik Kacelit. Ekspozita me artistët Naxhi Bakalli, Anastas Kostandini, Bashkim Ahmeti, Gjelosh Gjoka, Anila Rubiku, Ilir Zefi, Agim Sula, Gani Gashi, Suzana Ligoreci, Miradije Ramiqi, Afrim Spahiu. Kalendari i aktiviteteve pritet të hapet edhe në Muzeun Historik Kombëtar. Sipas drejtorit të MHK-së, Beqir Meta, ngjarja e parë është ekspozita dokumentaro-fotografike për Kongresin e Manastirit. Edhe pse Kongresi është mbajtur në nëntor, si një ngjarje e madhe, që këtë vit ka 100-vjetorin, është menduar të hapë kalendarin. Ngjarje të tjera të mëdha që janë parashikuar është 80-vjetori i krijimit të Mbretërisë shqiptare, që sipas Metës shënon një moment të rëndësishëm në formimin e shtetit. Do të përkujtohet me një ekspozitë edhe Lidhja Shqiptare Prizrenit, etj. Të gjitha institucionet duket se e kanë përcaktuar kalendarin e vitit, veçse që të fillojë duhet të presim edhe disa ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›