E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, gjenden gjurmët e kishës 600-vjeçare

Sipas drejtorit të monumenteve, Theodhori, në shkollë nuk duhet të vazhdojnë më punimet Korçë- Gërmimet arkeologjike nxjerrin në dritë një pjesë të rrënojave të kishës së Shën Harallambit. Pretendimet e Mitropolisë së Korçës për kishën 600-vjeçare duket se janë zbardhur më në fund pas gjetjes së eshtrave gjatë ndërtimit të palestrës së shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”. Një ditë më parë, arkeologët kanë zbuluar objektin për të cilin klerikët ortodoksë në Korçë kanë vënë alarmin se ndërtimet e palestrës së shkollës në fjalë nuk duhet të cenojë territorin, pronë e kishës për të mos prishur vlerat historike dhe fetare të saj. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga vetë drejtori i Monumenteve të Kulturës në Korçë, Theodhor Theodhori, sipas të cilit pretendimet e Mitropolisë së Shenjtë në këtë qytet janë të vërteta dhe tashmë të faktuara dhe nga gërmimet që kanë rezultuar pozitive. Sipas Theodhorit në gërmimet që kanë karakter arkeologjik, pasi ka gjurmë të kishës 600-vjeçare të Shën Harallambit, nuk duhet më të vazhdojnë punimet nga ana e firmës ndërtuese për zbatimin e projektit të ndërtimit të palestrës dhe rikonstruksionit të shkollës “Sevasti Qirjazi”. Pas njoftimit zyrtar të dy institucioneve Mitropolisë dhe Bashkisë së qytetit në mënyrë urgjente nga ana e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës gërmimet do t’i marrë tashmë në dorë Instituti Arkeologjik. Nëse nga gërmimet që do të vazhdojnë më tej do të zbulojnë dhe objekte me vlerë arkeologjike bën të ditur Theodhori kjo zonë merr të tjera vlera, ndërsa sipas ligjit sqaron ai nuk lejohet të kryhen punime mbi të. Debati për Kishën e Shën Harallambit që daton nga viti 1420 ka nisur disa javë më parë, kur ka nisur dhe zbatimi i projekti për zgjerimin e shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi” si dhe zbulimit të disa eshtrave që i përkojnë dhespotëve dhe episkopëve të kësaj kishe. Përfaqësuesit e klerit ortodoks i kanë kërkuar bashkisë së qytetit të pezullojnë punimet të cilat kanë mbetur në vend, duke u rrezikuar dhe vetë projektin për shkollën me një fond prej 500 milion lekësh. Megjithëse bashkia e ka kryer pezullimin e punimeve ka vendosur njëherësh të zhvendosë projektin pa cenuar në pronën e kishës, ndërsa pas rezultatit të gërmimeve të dy ditëve të fundit situata ka ndryshuar duke pritur të ketë zhvillime të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›