Zbulohet meningjit në Pukë, një 18-vjeçare e sëmurë
Arjana Dunga, nga Qerreti i Pukës, dërgohet me urgjencë në Infektivin e Tiranës. Jashtë rrezikut Dezinfektohet banesa e pacientes, nxënëse e vitit të tretë dhe mjekohen 11 anëtarët e familjes PUKË-Zgjerohet harta e sëmundjes së meningjitit. Pas rasteve në Pogradec, Delvinë dhe panikut në një fshat në Skrapar, tani virusi është identifikuar edhe në Pukë. Një 18-vjeçare, nxënëse në vitin e tretë të shkollës së mesme në Pukë, ka rezultuar e infektuar me mikrobin e meningjitit dhe është dërguar për ndihmë të specializuar në spitalin infektiv në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga spitali i Pukës, vajza e identifikuar me sëmundjen e meningjitit quhet Arjana Dunga dhe është 18-vjeç. Diagnoza Vajza është me banim në Qerret të Pukës dhe është paraqitur në urgjencën e spitalit dy ditë më parë. Sipas shefit të shërbimit në këtë spital, mjekut Musa Velaj, vajza ka mbërritur në spital me shqetësime të përgjithshme dhe në mënyrë të veçantë me temperaturë të lartë dhe të vjella. Sipas Velajt, shenjat e sëmundjes të bënin të dyshoje për një meningjit bakterial. “Vajza kishte filluar të shfaqte shqetësime që ditën e enjte, por vetëm të premten ka ardhur në spital”- thotë mjeku, që ka ndjekur nga afër gjendjen e vajzës dhe është marrë me ekzaminim e saj. Transporti Pasi kanë pasur dyshimet e para dhe duke parë edhe gjendjen e vajzës që nuk ka shfaqur shumë përmirësime, mjekët kanë vendosur dërgimin e saj në spitalin infektiv të Tiranës. ”Vendosëm ta dërgojmë në Tiranë, në mënyrë që aty të bëjë analizat e plota për të pasur një diagnostikim të saktë të sëmundjes”- thotë mjeku Velaj, duke shtuar se po dje ka mbërritur konfirmimi nga Tirana se vajza është e infektuar me meningjit bakterial. Konfirmimi ka qenë i njëjtë me diagnozën që kishin dyshuar mjekët e Pukës. Për vajzën sipas mjekëve ka filluar trajtimi mjekësor dhe mësohet se ajo është vendosur në reanimacionin e infektivit në Tiranë. Dezinfektim në banesën e vajzës Konfirmimi nga Tirana ka detyruara drejtorinë shëndetësore në Pukë të marrë masa urgjente për të mënjanuar përhapjen e sëmundjes dhe për të parë nëse ka të tjerë persona me shenjat e meningjitit. Sipas mjekut Musa Velaj, pas ardhjes së përgjigjes nga laboratori i Tiranës, janë marrë masa për dezinfektimin e vatrës së sëmundjes. Shefi i epidemiologjisë në Pukë, së bashku me stafin e tij kanë kryer veprimet në banesën e vajzës së infektuar, në fshatin Qerret. “Janë dezinfektuar ambientet e banesës së vajzës, ku jetojnë katër persona të rritur dhe 7 personave të vegjël që kanë qenë në kontakt me të“,- thotë mjeku. Sipas tij, pas dezinfektimit, janë marrë masat, që familjarët që kanë pasur kontakt direkt me të sëmurën të trajtohen me medikamente mjekësore. Ndërkohë ka nisur kontakti me mjekët e Tiranës dhe ata konfirmojnë se pas fillimit të mjekimit intensiv vajza ka pasur përmirësim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Dy javë më parë, ishin mjekët e spitalit të Shkodrës ata që diagnostikuan një rast me meningjit bakterial, i cili u dërgua menjëherë në Tiranë. Sipas mjekëve, meningjiti ka disa forma shfaqjeje dhe meningjiti bakterial nuk është dhe aq i rrezikshëm për infektimin e të tjerëve.