E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet, viktima e kasapit në Fier, rastësore

Sadush Hyskaj, vrarë nga Flamur Braka kishte hyrë për të shuar sherrin mes kushëririt të tij dhe autorit Fier-Hetimet e policisë kanë vërtetuar se Sadush Hyskaj ishte viktimë rastësore, e një sherri që nuk kishte asnjë lidhje me të. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se Hyskaj kishte ndërhyrë për të shuar një grindje që kishte nisur mes kushëririt të tij dhe autorit të krimit, kasapit Flamur Braka. Ngjarja ndodhi në mes të qytetit të Ballshit, përpara dyqanit ku ushtronte aktivitetin e tij autori, Braka dhe shkak sipas policisë ka qenë debati për parkimin e një automjeti. “Për shtetasin Flamur Braka, 52-vjeç, me profesion kasap, Gjykata e Fierit ka përcaktuar tashmë masën e sigurisë arrest në burg”,- saktësojnë burimet zyrtare të policisë së Fierit. Ndërkohë në seancën e zhvilluar në ngarkim të tij, në sallë nuk kanë qenë të pranishëm familjarët e autorit. Grindja ndodhi në datën 8 janar dhe sipas prokurorit Genci Mane ka për autor 52-vjeçarin, banues në Ballsh, lindur në Hekal të Mallakastrës. Së fundi është detajuar ecuria e ngjarjes, që për fat të keq shënoi një viktimë krejt të rastësishme. Ngjarja sipas prokurorit Mane ndodhi në lagjen “5 shkurti”, kur kasapi Braka nisi sherrin për parkimin e një makine para dyqanit të tij me një kushëririn e viktimës. Sipas burimeve, viktima Hyskaj, kushëri me drejtuesin e mjetit ka ndërhyrë për të shuar grindjen që sapo kishte nisur. Por mjerisht ka përfunduar keq, pasi është qëlluar për vdekje nga Braka, i cili në gjaknxehtësi e sipër kishte rrëmbyer thikën nga dyqani dhe e ka goditur në bark. Plaga ishte e rëndë dhe hemorragjia e madhe, e për pasojë Hyskaj nuk ka mundur dot të mbijetojë. Burimet pranë familjes së tij, janë ankuar dhe kanë bërë me dije, se autori i krimit të këtij njeriu të pafajshëm ka qenë problematik dhe me precedentë. “Ne humbën njeriun e dashur, baba me fëmijë nga një njeri që ka qenë problematik”- thonë familjarët. Por, sipas të njëjtit burim, ai asnjëherë nuk është ndëshkuar dhe marrë seriozisht nga policia. Ndërkohë burime nga fshati Aranitas i Mallakastrës, shprehen për viktimën si një njeri shumë i rregullt dhe i respektuar. Pasi gjykata vendosi arrest në burg, autori qëndron në pritje të vendosjes së masës së dënimit. Mbi të rëndon akuza e vrasjes me dashje. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›