E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmija i braktisur në pediatri, rrezik rrëmbimi

Ardian Kapaj jeton prej 1.5 vjetësh në Pediatri, ku u braktis nga e ëma, pas divorcit me bashkëshortin Mjekët e Vlorës japin alarmin: Janë paraqitur njerëz të dyshimtë që janë interesuar për fëmijën Vlorë-Fëmija i braktisur nga nëna, pak pas lindjes dhe që rritet në repartin e Pediatrisë në Vlorë, çdo ditë është i rrezikuar nga ndonjë rrëmbim i mundshëm. Alarmi është dhënë nga mjekët e spitalit, të cilët pohojnë se janë ndeshur në raste të dyshimta për këtë. Sipas shefit të repartit të pediatrisë së Vlorës, Fatmir Brahimaj, veç ekspozimit të fëmijës nga sëmundje që paraqiten për t’u shëruar në spitalin pediatrik, kërcënim i përditshëm për të është ndonjë tentativë rrëmbimi. Djali, tashmë 22 muajsh, jeton prej një viti e gjysmë në një dhomë të pavijonit, bashkë me të sëmurët e tjerë, pa njohur asnjë prej prindërve, të cilët pas divorcit nuk duan më t’ia dinë për të. Dyshimet Sipas drejtorit të spitalit, ka pasur një seri rastesh të tilla, që kanë shtuar panikun dhe frikën se djali nuk ndodhet më i sigurt në këto ambiente, pasi ai nuk mund të jetë çdo sekondë nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe infermierëve. Duke renditur rastet e dyshimta, drejtori Brahimaj pohon se në spital ka ardhur një grua rreth të dyzetave. “Ajo është interesuar për djalin, vendndodhjen e tij, si dhe ku do ta kalonte ai natën e Vitit të Ri”,- thotë ai, duke shtuar se ajo është përcjellë pa shumë informacione. Teksa e kanë përcjellë gruan në fjalë, sipas tij, ajo është parë edhe ditë më pas në ambientet e spitalit. Po kështu mjekët pohojnë edhe për një rast tjetër interesimi, kur dy pacientë i kanë sjellë një lodër e më pas kanë kërkuar të fotografojnë djalin, për llogari të dikujt tjetër. Ruajtja Edhe pse nuk ka tentativa konkrete, dyshimet kanë nxitur nga ana e drejtuesit të repartit shtimin e personelit që kujdeset për djalin. Pranë tij është vendosur një infermiere për çdo turn, ndërkohë që fëmija vijon të mbahet i izoluar në ambientet e një dhome të këtij spitali. “Edhe natën e ndërrimit të viteve, fëmija nuk është lejuar të shkojë në asnjë nga familjet e personelit që kanë kërkuar të mbajnë vogëlushin, për të festuar në ambiente familjare”,- thotë Brahimaj. Gjithë kjo ka detyruar përfaqësues të rajonalit të Vlorës t’i ridrejtohen sërish Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ndërkohë që Brahimaj pohon se shkresa përcjellëse nga drejtoria e spitalit i është dërguar këtë herë edhe ministrit të Brendshëm Nishani. Kreut të lartë të kësaj ministrie, pasi i bëhet e njohur çështja e vogëlushit 22-muajsh, i kërkohet ndërhyrje për mbrojtjen e tij, pasi bluzat e bardha e kanë të pamundur këtë. Infermieret Për fëmijën aktualisht prindër janë bërë mjekët dhe infermierët e spitalit. Ai thuajse i njeh të gjithë, pasi të gjithë kujdesen për të si të ishte njeri i tyre. “Mundohemi ta mbajmë pranë, është fëmijë i mbarë, por na vjen keq që po rritet mes sëmundjeve”,- thonë infermieret. Sipas tyre, fëmija mjekohet vazhdimisht, pasi është përditë në kontakt me sëmundje dhe infeksione nga më të ndryshmet. Megjithëse prej tyre është bërë apel zyrtar për t’i gjetur një vend qëndrimi, nuk është dhënë asnjë zgjidhje dhe vogëlushi vazhdon rritjen në spital, në një dhomë dhe i izoluar në një krevat të vogël. Djali Një vit e gjysmë në spital Ardian Kapaj, që tani është 22 muajsh, ndodhet prej më shumë se një vit e gjysmë në repartin e spitalit pediatrik. Prindërit e tij nga zona rurale të Vlorës, janë të divorcuar. Sipas infermiereve që tregojnë për të, i ati ndodhet në Greqi, ndërsa e ëma në Sevaster te prindërit e saj. Për fëmijën, pas braktisjes mungon baza ligjore, që ai të shkojë në institucione të përkujdesit social, pasi e pengon vendimi i gjykatës. Po kështu për këtë të fundit duhet dhe një akt nga prindërit, që fëmija të cilësohet zyrtarisht i braktisur. “Ndërkohë që asnjë nga prindërit e fëmijës nuk ka firmosur braktisjen e tij, ndonëse askush nuk është interesuar më për të, që nga momenti që e kanë lënë në spital”- thonë mjekët. Aktualisht vogëlushi që nuk ka mbushur ende dy vjeç, vijon të jetojë në ambiente të spitalit, duke mos njohur ambientet familjare, ngrohtësinë e prindërve dhe kushte normale jetese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›