E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet për hakmarrje 28-vjeçari

 

DURRES / OERD ULQINI

Ekzekutohet për hakmarrje 28-vjeçari. Sapo kishte lënë qelitë e paraburgimit, Denis Zani humbi jetën pasditen e djeshme nga një plumb i vetëm. Autori i krimit të ndodhur pranë stadiumit "Niko Dovana" në Durrës, u identifikua dhe u arrestua në kohë rekord. Sipas policisë, Qemal Cërriku, 30 vjeç qëlloi mbi Zanin për hakun e të vëllait, i cili u plagos me pasojë vdekjen në gusht të vitit 2006. Plumbi i marrë në kokë nga një pushkë 10-she i shkaktoi vdekjen e menjëhershme të 28-vjeçarit Zani, banor i periferisë së Durrësit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 17:00, ngjitur me gardhin rrethues të stadiumit "Niko Dovana". Sipas policisë atentatori është 30-vjeçari Qemal Cërriku. Ai ka mundur të arratiset për disa orë, duke u zhdukur pas të shtënave në rrugët e pandriçuara të pallateve parafabrikate, në lagjen 18 të Durrësit. Por pas një shtetrrethimi të përforcuar me efektiva blu autori është arrestuar vetëm 500 metra larg vendngjarjes. Pista më e mundshme e ngritur momentalisht nga hetuesit është ajo e hakmarrjes. Sipas policisë, atentatori Cërriku kishte bindjen se Denis Zani ka qenë i përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, ngjarje kjo e ndodhur rreth tre vjet më parë. Mësohet se dy personat kanë qenë në konflikt, për shkak të vrasjes së vëllait të Qemal Cërrikut, madje disa herë ata kishin debatuar ashpër edhe në baret e lagjes ku jetonin.
Askush nuk i ka dhënë ndihmën e parë viktimës, pasi çdo ndërmarrje e tillë do të ishte e kotë. Mungesa e ndriçimit solli vështirësi të përkohshme në ekzaminimin e shpejtë të vendngjarjes. Kufoma është transportuar për në morg vetëm pas disa orësh, kohë kjo e domosdoshme për të mbledhur provat mbi ngjarjen. Dëshmitarët okularë kanë ndihmuar policinë të identifikojnë atentatorin, duke mundësuar kështu arrestimin e tij vetëm pas 120 minutash.
Sipas policisë mekanizmi i ngjarjes ka qenë i thjeshtë. Viktima po ecte i pashoqëruar në rrugën periferike, aty ku Cërriku i kishte zënë pritë. Viktima është ekzekutuar me një plumb të vetëm, i cili e ka goditur në kokë. Sipas hetuesve është gjetur vetëm një gëzhojë në terren, nga e cila ka dalë plumbi vdekjeprurës. Policia bën me dije se tyta e armës, së llojit pushkë 10-she i është afruar me puthitje në kokë viktimës për të mos bërë zhurmë dhe njëkohësisht për të rritur efikasitetin e qitjes. Përpara një muaji, Denis Zani kishte shlyer dënimin për veprën penale të plagosjes së rëndë me pasojë vdekjen. Mësohet se Fatbardh dhe Denis Zani përkatësisht atë e bir, kanë plagosur rëndë vëllain e atentatorit, shtetasin Mario Cërriku, i cili ka gjetur vdekjen pas disa ditësh. Kjo ngjarje ka ndodhur më 16 gusht të vitit 2006 dhe atë e bir u përballën me togat e zeza. Babai i viktimës Fatbardh Zani mori përsipër vrasjen dhe si rrjedhojë edhe dënimin më të rëndë me 8 vjet burg, ndërsa i biri Denis u lirua pas 29 muajsh qëndrimi në qeli, si bashkëpunëtor në plagosjen e rëndë.

Precedenti/ Vrasja e Arjan Saliut

Një tjetër ngjarje e rëndë, e tipit mafioz ndodhi në lagjen 18 në shtator të vitit të shkuar. Arjan Saliu, vëllai i një të ekzekutuari prej bandës së Durrësit u qëllua sapo po kalonte në lagjen periferike. Kjo ngjarje ka mbetur ende e pazbardhur, ashtu si dhe krimi i dy viteve më parë që i mori jetën vëllait të tij, Ndriçim Saliut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›