Magjistratët, përplasje KLD-Ministri
Fatos Mahmutaj
Përplasjet institucionale mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë mbajnë peng 10 magjistratët e sapodiplomuar. Vetë gjykatësit që kanë përfunduar stazhin njëvjeçar, e përcjellin shqetësimin e tyre me anë të një deklarate drejtuar Presidentit të Republikës, ministrit të Drejtësisë, anëtarëve të KLD-së, si dhe zyrave ndërkombëtare të akredituara në vend. Deklarata, e cila u shpërnda dje nëpërmjet postës elektronike të gazetarëve, mediave dhe institucioneve të ndryshme solli reagimin e ashpër të KLD-së për vërtetësinë dhe besueshmërinë e letrës. Madje, nuk munguan edhe vetë, firmëtarët e dokumentit, të mohonin një fakt të tillë duke pretenduar se kishin dijeni për letrën, përmbajtja e saj përputhej me mendimin e tyre, por jo të ishin ata autorë të saj. Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i kontaktuar dje nga gazeta u dha të drejtë magjistratëve për deklaratën dhe problemin e ngritur. Ndërsa KLD-ja tha se ministri ka qenë i pasaktë, duke pohuar se vakancën në sistemin gjyqësor e ka kompetencë për ta shpallur Këshilli dhe jo ministri.
Letra
Teksti i letrës, i cili është shpërndarë dje për mediat edhe pse me amrat e magjistratëve në fund të tij, duket i dyshimtë pasi disa prej gjyqtarëve të pretenduar mohuan të kenë firmosur.
Në letër studentët që përfunduan magjistraturën verën e vitit të kaluar, pohojnë se janë emëruar më 5 tetor 2007 për të kryer stazhin profesional në pesë gjykatat më të mëdha të Faktit në vend, me propozim të KLD-së dhe dekretim të Presidentit dhe konkretisht në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Korçë. Pas përfundimit të stazhit, 10 gjykatësit e rinj duhet të ishin emëruar në muajin shtator ose tetor të vitit 2008, menjëherë sapo sistemi gjyqësor përfundonte pushimet vjetore. Por, sipas tyre kjo nuk ka ndodhur, madje në mbledhjen e KLD-së të datës 24 dhjetor 2008, ministri i Drejtësisë, i cili ka të drejtën ekskluzive, propozoi në Këshill 10 vendet vakante për gjyqtarë, për emërimin e studentëve që kanë mbaruar Magjistraturën. "Po në këtë mbledhje, KLD i rrëzoi vendet vakante të propozuara nga ministri Enkelejd Alibeaj, me arsyetimin se ai kishte shkelur procedurën, pasi paraprakisht duhej të kishte bërë riorganizimin e gjykatave në rang republike", pohojnë magjistratët, të cilët shtojnë më tej se absurditeti i këtij vendimi ishte se edhe pse pretendohet që 10 vendet ishin nxjerrë nga Ministri në shkelje të procedurës, për 6 vende KLD ishte dakord t'i pranonte, ndërsa janë refuzuar 4 të tjerat.
Refuzimi
Pas kësaj erdhi reagimi i Ministrit Alibeaj, i cili nuk pranoi propozimin e KLD për të kaluar vetëm një pjesë të propozimeve të bëra. Po kështu, gjykatësit pohojnë se përplasjet mes dy institucioneve kanë bërë që gjykatësit e rinj të jenë të paqartë për të ardhmen e tyre, ndërsa janë njoftuar se në fund të muajit janar atyre do t'u ndërpritet pagesa krahas ushtrimit të profesionit në gjykatat, ku deri tani kanë kryer stazhin. Po kështu, ata pohojnë se janë dekretuar nga Presidenti dhe do vazhdojnë të ushtrojnë detyrën si gjyqtarë në ato gjykata ku janë emëruar provizorisht, deri në emërimin përfundimtar sipas ligjeve. Në fund të deklaratës, 10 magjistratët pohojë se qëllimi i shpërndarjes së informacionit ishte sensibilizimi i opinionit publik dhe institucioneve kombëtare e ndërkombëtare për të zgjidhur këtë situatë, të cilën e quajnë krejt absurde. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të sqarohet qëndrimi i magjistratëve, të cilët do të kontaktohen zyrtarisht nga Këshilli në lidhje me deklaratën publike.
10 magjistratet
Esmeralda Çeka
Enerjeta Deraj (Shehu)
Alma Hoxha
Matilda Shalla
Rezarta Mataj
Irida Kaçerja
Gentian Hamiti
Ervin Trashi
Sonjela Voskopi
Vojsava Osmanaj
KLD prezanton sot 8 magjistratë në kryeqytet
TIRANE - Prezantohen sot në Gjykatën e Tiranës tetë emrat e rinj të togave të zeza, që do gjykojnë për një vit me radhë dosje të shumta në këtë institucion. Burime të KLD-së pohojnë se bëhet fjalë për 8 studentët, që sapo kanë nisur vitin e tretë të Magjistraturës, të cilët do të kryejnë stazhin shkollor. KLD-ja pohoi dje se prezantimi i 8 gjykatësve të rinj, përbën rreth 18 % të numrit të togave të zeza në gjykatën më të madhe në vend. Këshilli pohoi më tej se kjo bëhet në mënyrë që të rinovohet sistemi gjyqësor në përgjithësi dhe gjykata e kryeqytetit në veçanti. Sipas Këshillit, emrat e rinj të magjistratëve pritet të sjellin një frymë të re, nën devizën e deklarimeve të Presidentit të Republikës, i cila ka pohuar se brenda një kohe rekord do rinovohet gjyqësori shqiptar. Prezantimi i tyre, i cili është vendosur në mbledhjen e 24 dhjetorit në Këshill pritet të bëhet nga anëtarët e këtij institucioni paraditen e sotme. f.m
Deklarata, firmëtarët e KLD-ja vënë në dyshim vërtetësinë
TIRANE - Vërtetësia e deklaratës së 10 magjistratëve të sapo diplomuar u vu në dyshim ditën e djeshme nga institucioni i KLD-së. Drejtoria e organizimit e këtij institucioni, e kontaktuar nga gazeta pohoi se një deklaratë e tillë duhej të merrej me rezerva, pasi ky institucion nuk ishte njoftuar për një veprim të tillë dhe për më tepër asnjë prej gjykatësve magjistratë të kontaktuar, emrat e të cilëve ndodhen në fund të letrës, nuk pranoi firmosjen e saj. Disa prej tyre pranuan se kishin dijeni për letrën dhe se ajo përputhej me mendimin e tyre, por mohuan nënshkrimin apo shpërndarjen e saj. Menjëherë sapo u vu në dijeni nga mediat, institucioni i KLD-së pohoi se nisi verifikimet, duke kontaktuar me secilin prej gjykatësve dhe se kishte marrë përgjigje negative prej tyre, për sa i përket deklaratës së shpërndarë me anë të postës elektronike. Më pas, një pjesë e magjistratëve u kontaktuan nga gazeta dhe thanë të njëjtën gjë, duke mohuar autorësinë individuale mbi deklaratën elektronike. Ndërkohë, burime të tjera pohuan se magjistratët do e përgënjeshtronin publikisht gjatë ditës së sotme deklaratën, madje vetë gjykatësit e rinj, disa prej tyre, të kontaktuar nga gazeta nuk preferuan të jepnin shpjegime për këtë çështje. fa.ma