E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i nënës: Humba vetëdijen, pas fyerjeve arma mu shkreh pa dashje

 

TIRANE - Viktor Prendi, 35-vjeçari nga fshati Prush i Tiranës, i arrestuar për vrasjen e nënës së tij Dile Prendi do të përballet paraditen e sotme në Gjykatën e Tiranës me kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë "burg pa afat". Pas hetimeve paraprake, prokuroria e akuzon të riun për "vrasje me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje", akuza të cilat ai i pranon pjesërisht. Gjatë marrjes në pyetje mësohet se ai ka pranuar faktin që ka qëlluar mbi nënën e tij, por jo me dashje, pasi arma i është shkrehur pavetëdije. "Nuk e di se si mu shkreh arma, ndërsa ia kisha drejtuar nënës për ta trembur dhe larguar ngaqë po më fyente", mësohet të ketë thënë 35-vjeçari. Më tej, ai ka pohuar se në familjen e tij prej disa kohësh kishte grindje për shkaqe nga më të ndryshmet. Ndërsa për momentin e grindjes ai pohon se pas fyerjeve të shumta, nga ana e viktimës, ai kishte marrë armën, "Kallashnikov", të cilin pretendon se e kishte gjetur në rrugë para shumë kohësh dhe ia kishte drejtuar asaj në mënyrë që ta trembte. Por, sipas tij, i tronditur nga fjalët fyese ai ka humbur vetëdijen dhe i është shkrehur arma drejt nënës, e cila ka mbetur e vdekur në vend. Pas kësaj, Prendi pohon se kur e ka kuptuar këtë krim, ka njoftuar me telefon familjarët e tjerë, të cilëve u ka treguar gjithçka dhe më pas ka lajmëruar edhe policinë. Më tej, ai pohon se është vetëdorëzuar në polici, duke pretenduar se ky fakt duhet të vlerësohet si rrethanë lehtësuese ndaj tij në vendimin gjyqësor për masën e sigurisë.                      fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›