E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në banesë,dëmi 500 mijë lekë

 

ELBASAN - Një zjarr ka rënë rreth orës 18:00 të pasdites së djeshme në një banesë të katit të tretë të një pallati në qendër të qytetit të Elbasanit. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar makina e zjarrfikëseve, e cila për një kohë rekord ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit në shtëpinë në pronësi të Idajet Rustës, që rrezikoi dhe apartamentet fqinje. Shefi i repartit të zjarrfikëses, Aleksandër Hodo, i ndodhur në vendin e ngjarjes  pohoi se me të marrë informacionin janë nisur me urgjencë forcat e repartit. Por, flakët e favorizuara nga objektet e shtëpisë janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientet e saj, duke shkatërruar orenditë e dhomës së gjumit dhe të banjës. Grupi hetimor që bëri këqyrjen e banesës në flakë paraprakisht konkludoi, se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike, e provokuar në prizën e dushit në tualetin e banesës. E prej andej dyshohet se u përhap në dhomën e gjumit, ngjitur me të. Në momentet e shpërthimit të zjarrit në banesë nuk ndodhej njeri, duke shmangur rrezikun e lëndimit të familjarëve. Sipas të dhënave dëmi i shkaktuar nga zjarri arrin në vlerën e 500 mijë lekëve. E gjithë zona në të cilën ka rënë zjarri ka qëndruar afro 60 minuta pa energji elektrike, pasi ndërmarrja elektrike e ka ndërprerë energjinë që forcat zjarrfikëse të ndërhynin me efikasitet.                   a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›