Jetimët: Kur mbushim 18 vjeç na hedhin në rrugë
SHKODER / RIDVAN DIBRA
Të vetmit që nuk gëzohen kur mbushin 18 vjeç janë jetimët. Elvis Veizi, nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme teknologjike "Hamdi Bushati" në Shkodër, ndihet i frikësuar. I duhet edhe një vit të mbarojë shkollën e më pas konvikti nuk i garanton më atij strehim. Atë e mundon realiteti i jetimëve të tjerë, që pasi kanë mbushur moshën 18 vjeç ose 15 kur nuk vazhdojnë shkollën, kanë mbetur rrugëve duke kryer punë ku të mundnin për të siguruar bukën e gojës. "Sytë tanë kanë parë të vdesin shokët bashkëvuajtës rrugëve apo nëpër vendet e strehuara provizorisht, shprehet Elvisi. Prej më se një viti, ai është angazhuar që të ngrejë zërin, në emër të të gjithë jetimëve të Shkodrës te strukturat shtetërore. Por më kot, deri tani asnjë zgjidhje konkrete për këtë kategori të shoqërisë, të paktën për problemin e strehimit të tyre. Elvisi radhit një sërë pengesash, të cilat vështirësojnë tej mase jetesën e tyre. Sipas tij, jetimët në Shkodër, mbi 18 vjeç, nga viti në vit po ndihen gjithnjë e më të braktisur nga shteti dhe krejtësisht të pasigurtë për jetën e tyre. Ndërkohë indiferentizmi i shoqërisë dhe paragjykimet ndaj tyre janë një tjetër anë negative që vështirëson jetesën. Problemet për ta nisin qëkur ata mbarojnë ciklin 9-vjeçar, e deri në përfundim të maturës. Ata thonë se veç indiferentizmit të shtetit, po përballen me paragjykimet e shoqërisë. Drejtuesit e firmave private, e madje as pronarët e lokaleve, nuk pranojnë t'i marrin në punë. Sipas Elvisit, deri në moshën 14 apo 15-vjeçare, jetimet trajtohen mirë nëpër shtëpitë e fëmijëve. Por më pas strehimi në konvikte u sigurohet vetëm atyre që mund të vijojnë një shkollë të mesme profesionale, në të cilat ka konvikte. Në këtë mënyrë është strehuar edhe Elvisi. Ai jeton në konviktin e shkollës së mesme industriale, së bashku me katër shokët e tij të dhomës Maliqin, Florin, Kristianin dhe Alfredin. Sipas Elvisit jeta në konvikt për ta është e mirë, pasi përveç se kanë një strehë trajtohen dhe me ushqim, ndërkohë që bashkia u jep 10 mijë lekë në vit.
Këtë vit, dy vajza jetime dolën nga shtëpia e fëmijës për shkak të mbushjes së moshës. Fatmirësisht duke qenë vetëm 15 vjeçe, ato janë strehuar provizorisht në konviktin e vajzave të shkollës së gjuhëve të huaja, ku jetojnë dhe jetime të tjera. Por vitin tjetër pritet që t'i largojnë, pasi nuk ka më vend për to. Nisur nga këto fakte të dhimbshme Elvisi, në emër të jetimëve të Shkodrës u bën apel të gjithë pushtetarëve vendor e qendrorë që të kujdesen seriozisht për ta, pasi nuk kanë mbështetje tjetër, ndërsa rrezikojnë të enden rrugëve pasi nuk kanë një strehë.